Amazon Prime na ka dhuruar një trailer brutal për serinë e vet të re “The Boys”, në të cilën Karl Urban dhe ekipi kërkojnë hakmarrje kundër superheronjve të njohur.
Seria e re aksion flet për superheronjtë (do t’ju duken të njohur: në seri është analogjia e Avengersave të Marvelit ose Justice Leage të DC) të cilët kryejnë krime të ndryshme, por njerëzit i mbyllin sytë sepse i duan dhe i respektojnë. Këtu hyn në skenë Billy Butcher (Urban), i cili do ta formojë ekipin e tij dhe do t'i quajë The Boys, ekip ky i cili do të përbëhet nga ata që kanë përjetuar padrejtësi nga Shtatëshja e madhe (The Seven). The Seven janë superheronjtë më të këqij në botë, ndërsa Boys-at duan t’i arrestojnë dhe ta ndalojnë korrupsionin, shkruan KOHA Ditore.

Seria është e bazuar në romanet bestseller të Garth Ennis, dhe bëhet fjalë për historinë e hakmarrjes me një premisë të thjeshtë: grupi i atyre që nuk janë askushi dhe duan t’i ndalojnë ata që janë të njohur për të gjithë. Përmbledhja thotë: The Boys është në fakt një pasqyrim argëtues i asaj që mund të ndodhë kur superheronjtë, të cilët janë të njohur si yjet më të mëdha, me ndikim si politikanë dhe të nderuar si perëndi, fillojnë t’i abuzojnë superfuqitë e tyre në vend se t’i përdorin për vepra të mira. Ekipi ynë i hakmarrësve të thjeshtë dëshirojnë t’ua zbulojnë të gjithëve të vërtetën rreth superheronjve të rremë.
Së bashku me Urbanin luajnë edhe Elizabeth Shue, Jennifer Esposito, Karen Fukuhara, Laz Alonso, Jack Quaid, Tomer Kapon, Chace Crawford, Erin Moriarty, Antony Starr dhe Jessie T. Usher. Krijuesit e serisë janë Eric Kripke (Supernatural) dhe Seth Rogen dhe Evan Goldberg (Preacher) të cilët janë producentë ekzekutivë, ndërkohë që dy të fundit e bëjnë regjinë e dy episodeve të para të sezonit.
Seria “The Boys” në Amazon Prime arrin më 26 korrik, ndërsa sezoni i parë ka 8 episode.