Aktorja e njohur amerikane, Kaley Cuoco, e ndoqi premierën e sezonit të dytë të serialit të saj, “The Flight Attendant”, në Hollywood.
Cuoco më së miri njihet nga publiku për rolet në dy seriale televizive të shndërruara në hit. Seriali i parë “8 Simple Rules” u detyrua të ndërpritet para kohe për shkak të vdekjes së aktorit, John Ritter, por ai ishte një projekt jashtëzakonisht i ndjekur nga publiku. Por, suksesi me i madh i aktores mbetet komedia “The Big Bang Theory”, e cila u transmetua për 12 sezone dhe e shndërroi Cuocon një yll anembanë botës.
Dhe vetëm një vit pas finales së “Big Bang”, ajo e siguroi rolin protagonist në trilerin, “The Flight Attendant”, raportoi të hënën agjencia e lajmeve “AP”. Ky projekt e gëzoi një shikueshmëri të kënaqshme dhe ia fitoi aktores nominimin e parë “Emmy”, si aktore dhe producente ekzekutive e projektit.
“E dini çfarë, nuk e keni gabim. Është vështirë për një aktor që të bëhet pjesë e një seriali i cili rezulton i suksesshëm. Shanset janë të vogla që kjo të ndodhë. Por, unë e arrita këtë me serialin 'The Big Bang Theory' që ishte një eksperiencë e mahnitshme. Ndërsa me projektin e ri, rrezikova kur e gjeta librin mbi të cilin bazohet dhe në fillim mendova se do të dilte një film i mirë. Por, më pas mendova për ca kohë dhe kështu vendosa se do të mund ta realizonim në serial televiziv. I vetmi dyshim që kisha, ishte nëse publiku do të më mirëpriste mua si protagoniste, marrë parasysh se ishin mësuar për aq shumë kohë të më shohin në komedinë ‘Big Bag’. Mirëpo, përfundimisht vendosa se ia vlen të rrezikoja për këtë projekt, i binda të gjithë që të më bashkëngjiteshin në realizimin e tij, dhe ende nuk e kuptoj se si e arritëm gjithë këtë sukses. Kurse sot jam këtu para jush duke folur për sezonin e dytë. Me të vërtetë ishte një përvojë interesante”.
Në sezonin e parë të “The Flight Attendant”, Cuoco e portretizon një stjuardesë të pakujdesshme dhe alkooliqare të quajtur, Cassie, e cila një ditë zgjohet përkrah një burri të vdekur dhe kështu përfundon duke u përfshirë në një situatë misterioze, kaotike dhe të rrezikshme. Sezoni i ri e gjen atë esëll dhe ende duke punuar si stjuardesë, por Cassie vazhdon të mos bashkëpunojë me autoritetet për t’i zgjedhur krimet ndërkombëtare në të cilat është e përfshirë.
Edhe
Kaley Cuoco nënë për herë të parë
Kastës së aktorëve këtë vit i është shtuar edhe ylli i kinematografisë, Sharon Stone.
Sezoni i dytë i serialit “The Flight Attendant” debuton më 21 prill në platformën HBO Max.