Ylli i kinematografisë, Julia Roberts, e veshi një fustan të dekoruar me fotografi të mikut dhe kolegut të saj, George Clooney, në ngjarjen e sivjetme “Kennedy Center Honors” ku aktori i famshëm u nderua me shpërblim special.
Aktori, regjisori, producenti dhe filantropi i njohur amerikan, iu bashkua yjeve tjerë, Gladys Knight, Tania León, Amy Grant dhe anëtarët e grupit “U2”, në një mbrëmje glamuroze ku të gjithë u nderuan me çmimin “John F. Kennedy Center for the Performing Arts”.

Roberts vendosi që ta nderojë mikun e ngushtë në mënyrën e saj, duke e veshur një fustan të ilustruar me fytyrën e Clooneyt nga faza të ndryshme të karrierës së tij.
George dhe Julia për herë të parë bashkëpunuan në filmin “Ocean’s Eleven” në vitin 2001, duke vazhduar tutje me filma të tjerë si, “Ocean’s Twelve”, “Money Monster” dhe “Confessions of a Dangerous Mind”, regjinë e së cilit e bëri Clooney. Për herë të fundit ata u shfaqën së bashku në ekran të madh në muajin tetor të këtij viti, me filmin “Ticket to Paradise”.
Ndërkaq, në qilimin e kuq të shtruar me rastin e kësaj gala mbrëmjeje, George Clooney u shoqërua nga gruaja e tij, Amal. Me ta kuptuar se Don Cheadle dhe Julie Roberts janë të pranishëm në këtë ceremoni, ai u shpreh i shqetësuar se ky nderim do të ishte më shumë një mundësi për t’u bërë shaka në emër të tij, nga miqtë dhe kolegët e dashur.
