Aktorja e njohur e Hollywoodit, Julia Roberts, kur u intervistua nga skenaristi Richard Curtis, për debutimin e saj në ballinën e versionit britanik të prestigjiozes “Vogue”, ka treguar se përse nuk pranon të zhvishet kurrë në ekran. 56-vjeçarja ka thënë se ka zgjedhur të mos zhvishet në ekran, në mënyrë që t’i kundërshtojë ata që do të mund të tentonin ta shtynin ta bënte atë.
“Pa dashur të jem kritike për zgjedhjet e të tjerëve, por vendimi im për të mos u zhveshur në ekran është një zgjedhje që kam bërë për vetveten”, ka thënë Roberts duke biseduar me Curtisin, me të cilin kishte punuar bashkë në projektin filmik “Notting Hill” në vitin 1999.

Përgjatë intervistës, Roberts ka thënë se kushërira e saj që është aktiviste e famshme për të drejtat e femrave, Gloria Steinem mund të jetë një arsye e vendimit për të mos u zhveshur as në filmin e famshëm “Pretty Woman”, në të cilin luajti rolin e një prostitute në vitin 1990.
Steinem, 89 vjeçe, është gazetare e vlerësuar që doli si udhëheqëse e valës së dytë të feminizmit në Shtetet e Bashkuara. Ajo lansoi revistën Ms. në vitin 1972. Ishte revista e parë që solli feminizmin dhe lëvizjen për të drejtat e grave në krye të frymës amerikane.
Roberts gjithashtu ka përmendur se Hollywoodi ka ndryshuar shumë përgjatë viteve dhe ndihet sikur një “dinozaur” pasi që ka kaluar shumë kohë që kur e ka filluar karrierën.
“Nuk e di a është më mirë tash, sepse nuk është eksperiencë e imja, por duket shumë ndryshe. Disi duket shumë i parregulluar. Ka shumë elemente tani për të qenë e famshme, sa që duket e lodhshme”, ka thënë ylli.
Për kohën e mëparshme të punës në Hollywood, Roberts ka thënë se në mënyrë që dikush të merrte një rol duhej të punonte për ta mësuar skenarin e pastaj ta interpretonte shumë mirë atë rol në mënyrë që të fitonte prapë një mundësi për të luajtur në ndonjë projekt tjetër.

Gjithsesi Roberts si përfundim ka thënë se tani gjithçka është shumë më kaotike.
“Ka më shumë elemente, më shumë zhurmë, më shumë njoftime për shtyp, ka më shumë gjëra në përgjithësi”, ka thënë ajo.