Ylli hollywoodian, Jonah Hill, është bërë baba për herë të parë pasi e fejuara e tij, Olivia Millar, ka lindur një fëmijë.
Aktori i “The Wolf of Wall Street” dhe e fejuara e tij e përfolur, Olivia Millar, konfirmuan të premten se kishin mirëpritur fëmijën e tyre të parë, kjo pasi Jonah u desh të mungojë në dasmën e motrës së tij aktore, Beanie Feldstein.
Një përfaqësues i aktorit konfirmoi lajmin për lindjen e foshnjës për revistën “People”, por emri dhe gjinia e fëmijës nuk janë bërë të ditur.
Motra e aktorit, Beanie, u martua me producenten Bonnie Chance në një ceremoni intime më 20 maj, por Jonah dhe Olivia nuk u panë në asnjë fotografi nga ngjarja.
Lajmet që Olivia priste fëmijë u konfirmuan në muajin mars kur u pa me barkun e rrumbullakosur, teksa ajo dhe Jonah shëtisnin nëpër Santa Monica në Kaliforni.
Një ditë më parë, ajo ishte fotografuar duke dalë nga një dyqan me një unazë diamanti në gisht, duke shkaktuar spekulime se ajo dhe aktori i famshëm tashmë janë fejuar në fshehtësi.
Jonah dhe Olivia nisën lidhjen në gusht të vitit 2022 dhe nuk dihet shumë për partneren e aktorit. Ata janë tejet privatë për lidhjen e tyre dhe e kanë mbajtur atë larg rrjeteve sociale. Madje nuk kanë marrë pjesë së bashku as nëpër premiera me qilim të kuq.
Vitin e kaluar, Jonah i fshiu rrjetet e tij sociale pasi e ndau me publikun një letër të hapur ku diskutohej beteja e tij gati 20-vjeçare me ankthin. Po ashtu deklaroi se tani e tutje nuk do t’i promovojë projektet e tij filmike, për shkak se dëshiron të fokusohet në shëndetin e tij mendor.
“Kam arritur të kuptoj se kam kaluar gati 20 vjet duke përjetuar sulme ankthi, të cilat përkeqësohen nga paraqitjet në media dhe ngjarjet publike. Tani e tutje, ju nuk do të më shihni duke i promovuar filmat e mi, pasi ka vendosur ta bëjë këtë hap të rëndësishëm për ta mbrojtur veten. Shpresoj që puna do të flas për veten dhe jam falënderues ndaj bashkëpunëtorëve të mi, partnerëve të biznesit dhe të gjithë juve që po e lexoni këtë letër, për mirëkuptimin dhe përkrahjen tuaj”, kishte shkruar aktori.
Jonah më parë ka qenë i fejuar me fotografen Gianna Santos, por dyshja u ndanë në vitin 2020.