Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“Joker” deri tani i ka fituar 1 miliard dollarë vetëm nga shfaqja nëpër kinema

Filmi “Joker” është në rrugën e duhur për t'u bërë filmi i parë me vlerësimin R, i cili deri në këtë moment në biletaritë kinematografike botërore i ka inkasuar më shumë se 1 miliard dollarë, raporton Business Insider.

Për shkak të suksesit të madh, tashmë ca kohë është duke u spekuluar se ky film mund ta ketë edhe vazhdimin. Megjithëse ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar, regjisori i filmit Todd Phillips nuk e përjashton këtë mundësi, shkruan KOHA Ditore. Duke folur për Los Angeles Times, ai deklaroi se vazhdimi "duhet ta ketë një rezonancë tematike".

"Ky sigurisht se nuk do të ishte një film tjetër i egër dhe i çmendur për një hero të stripave. Ai duhet ta ketë një rezonancë tematike në të njëjtën mënyrë siç e ka 'Joker". E dini, kur kjo tematikë ekziston, vetëm atëherë filmi e ka kuptimin," tha Phillips.

Ai më parë deklaroi se "Joker" gjithmonë duhej të ishte një tregim i pavarur, pa asnjë vazhdim. Sidoqoftë, muajin e kaluar, ai tha për GameSpot se do të bënte gjithçka që do të dëshirojë ylli i filmit Joaquin Phoenix, por edhe atëherë e përsëriti se filmi nuk ishte caktuar për xhirim të vazhdimit.

Filmi “Joker”, që nga shfaqja në ekranet kinematografike nga fillimi i tetorit, i ka inkasuar 988 milionë dollarë globalisht, megjithëse ekipi i filmit e kishte një buxhet produksioni prej vetëm prej 55 milionë dollarësh.

Ky është një injeksion i konsiderueshëm financiar për shtëpinë Warner Bros., e cila e përjetoi një vit zhgënjyes kur bëhet fjalë për shfaqjet kinematografike të materialeve të tyre.