Aktori i njohur i Hollywoodit, Johny Depp, është munduar ta urojë kolegun e tij, aktorin Robert Downey Jr, pasi mori çmimin Oscar për performancën në filmin “Oppenheimer”, por urimi nuk shkoi siç ishte planifikuar.
Depp ndau në InstaStory një fotografi ku shihej bashkë me Robertin në mënyrë që ta uronte për Oscarin që fitoi. Por kjo foto doli të mos jetë origjinale, por një fotografi e përpunuar me programin “Photoshop”, shkruan “The Hollywood Reporter”.

Në fotografinë origjinale të vitit 1988 ishte Roberti me të dashurën e atëhershme, aktoren Sarah Jessica Parker në një ngjarje në Los Angeles. Por në fotografinë e përpunuar, Sarah u zëvendësua me figurën e Deppit. Kjo fotografi ka qarkulluar me vite nëpër rrjete sociale.

Depp shpejt e fshiu fotografinë që e postoi dhe më vonë ndau një foto të vërtetë të tij me Robertin, që bashkë e kishin bërë në ngjarjen e ndarjes së çmimeve “Golden Globes” në vitin 2011.
“Ta provojmë përsëri... urime shokut tim të mirë”, ka shkruar Depp pasi ndau foton origjinale.
Robert Downey Jr ka fituar çmimin Oscar, si aktori më i mirë në rol mbështetës, për performancën në filmin “Oppenheimer”, të dielën që shkoi.
Ky çmim shënoi pikë të lartë në karrierën e Robertit, pasi ka kaluar në periudhë me probleme me konsumimin e lëndëve narkotike. Madje pasi mori çmimin në skenë, ai ka treguar se gruaja e kishte ndihmuar të dilte nga kjo rrugë.