Këngëtari i njohur, John Legend, ka treguar se Kanye Westi është hidhëruar me të për shkak se e ka mbështetur presidentin, Joe Biden.
Në një intervistë të fundit për revistën “The New Yorker”, 43-vjeçari foli për prishjen e raportit me reperin e famshëm, kjo pasi Legend kishte refuzuar ta përkrahë mikun e tij në garën për president të shtetit.
Në anën tjetër, John e mohoi të jetë larguar nga Ye për shkak të faktit se ai ishte përkrahës i ish-presidentit, Donald Trump.
“Çfarë u tha në media, ishte se miqësia jonë u prish për shkak se ai ishte përkrahës i Trumpit, dhe në fakt kjo ishte shtrembërim i fjalëve të mia. Ajo që unë kisha deklaruar ishte se, Kanye, u hidhërua me mua për faktin se nuk e kam mbështetur në garën e tij për president. Kjo është arsyeja e vërtetë e prishjes së shoqërisë sonë. Nuk e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por ai është shumë i zemëruar me mua për shkak se vendosa ta përkrahë Joe Bidenin dhe jo atë. Tani i takon atij që të vendos nëse mundet ta tejkalojë këtë hidhërim”.
Ylli i hitit “All of Me” i cili ka fëmijët Luna dhe Miles me modelen, Chrissy Teigen, dhe aktualisht janë në pritje të fëmijës së tretë së bashku, tutje deklaroi se politika nuk duhet të jetë gjëja më e rëndësishme në një shoqëri. Këngëtari insiston se vlerat kanë më shumë rëndësi për të, në një botë ku politika është kthyer në një fenomen online.