John Legend po përgatitet të nisë turne të veçantë për të shënuar 20-vjetorin e albumit të tij të parë, “Get Lifted”, të cilën e prezantoi në skenën botërore të muzikës në vitin 2004.
“’Get Lifted’ më prezantoi te publiku dhe tani, 20 vjet më vonë, kam mundësinë ta festoj këtë përvjetor me njerëzit që më kanë mbështetur që nga dita e parë, por edhe me adhuruesit e rinj që e kanë zbuluar albumin ndër vite. Të rikthehem te këto këngë dhe t’i ndaj përsëri live është diçka jashtëzakonisht speciale. Është moment festimi dhe mirënjohjeje”, ka thënë 46-vjeçari për revistën “People”.
Legend ka zbuluar se turneu do të sjellë befasi për publikun.
“Do të performojmë të gjithë albumin ‘Get Lifted’ live, me disa prekje të reja, disa mysafirë surprizë dhe shumë dashuri. Përveç kësaj, do të përfshijmë edhe disa nga hitet më të mëdha të karrierës sime”, ka thënë ai.
Këngëtari ka theksuar se është i vendosur të kujdeset për veten gjatë turneut për të dhënë performanca të paharrueshme.
“Unë përqendrohem në kujdesin ndaj vetes, ushtrohem, meditoj, fle gjatë ditës dhe qëndroj i hidratuar. Gjatë ditës nuk flas shumë që të kursej zërin për koncertin. Por sigurisht gjithmonë lidhem me familjen time. Kjo më sjell shumë gëzim”, ka thënë ai.
Në një intervistë për Time disa vite më parë, Legend pati treguar edhe për frymëzimin për “Get Lifted”.
“Ne e dinim që epoka e neo-soul po mbyllej. Doja që muzika të tingëllonte më e fortë, me melodi më të mprehta dhe me energji tjetër. Shumë neo-soul në atë kohë tingëllonte si improvizim në skena të hapura, si seancë poezie. Unë e pashë albumin ‘The Miseducation of Lauryn Hill’ si inspirim të madh, sepse përziente soul, hip-hop, reggae dhe gospel. ‘College Dropout’ i Kanye Westit ishte gjithashtu një tjetër inspirim”, ka thënë ai.
Legend, i martuar me modelen Chrissy Teigen, e përshkroi turneun e ri si “festë për adhuruesit e tij të vjetër dhe të rinj”, duke e kthyer këtë përvjetor në moment reflektimi dhe dashurie për muzikën.