Showbiz

Jessie J përfundon në spital gjashtë javë pas operacionit për kancer në gji

Jessie J

Jessie J

Foto: Associated Press

Këngëtarja britanike Jessie J ka njoftuar ndjekësit se është rikthyer në spital gjashtë javë pas operacionit për heqjen e kancerit të gjirit, për shkak të një infeksioni dhe problemeve me frymëmarrjen, ka raportuar The Independent.

37-vjeçarja, emri i vërtetë i së cilës është Jessica Cornish, ishte diagnostikuar me kancer në prill të këtij viti. Kanceri ishte zbuluar në fazë të hershme. Ajo iu nënshtrua një mastektomie dhe më pas kishte kryer edhe rikonstruksionin e gjirit.
 

Stories • Instagram

Në një postim të publikuar të dielën (3 gusht), Jessie J ka treguar se ishte shtruar papritur në të njëjtin repart ku ishte rikuperuar pas operacionit.

“Ja si i kalova 24 orët e fundit. Gjashtë javë pas operacionit dhe isha përsëri në të njëjtin repart ku qëndrova pas ndërhyrjes. Nuk ishte as e planifikuar, as e pritshme”, shkroi ajo krahas një fotografie.
 

Ajo ka sqaruar se simptomat që po përjetonte fillimisht i kishin bërë mjekët të dyshonin për një tromb në mushkëri.

“Kisha dhe ende kam simptoma që tregonin për një mpiksje gjaku në mushkëri. NUK ËSHTË MPIKSJE, FALË ZOTIT. Bënë shumë analiza dhe rezultoi që kam një infeksion (ende nuk e kanë zbuluar se çfarë saktësisht) dhe pak lëng në mushkëri”, ka shkruar ajo.

Ani se ende nuk është shëruar plotësisht, Jessie J vendosi të largohet nga spitali.

“E kam të vështirë të marr frymë thellë, por u largova nga spitali mbrëmë (e urrej të jem në spital) dhe do t’i vazhdoj analizat si paciente jashtëspitalore”, ka sqaruar ajo.

Në një postim pasues, ajo ka folur për vështirësitë fizike dhe emocionale që ka përjetuar gjatë gjithë këtij procesi.

“E di që shumë njerëz që kanë kaluar nëpër diçka të ngjashme mund të pajtohen ose jo me këtë, dhe kjo është në rregull. Por për mua, pjesa më e vështirë fizike ishte dita kur hyra në sallën e operacionit”, ka shkruar ajo.

Këngëtarja e hitit “Bang Bang” ka rrëfyer se rikuperimi ka ndikuar ndjeshëm në jetën e saj personale, si nënë dhe si artiste.

“Rikuperimi fizik nuk është as i shpejtë, as i lehtë. Mendërisht ka qenë periudha më sfiduese për mua. Sidomos si nënë e një fëmije të vogël dhe duke mos qenë në gjendje të jem ajo nënë që jam zakonisht. Dhe më është dashur të ndryshoj planet për karrierën për këtë vit, gjë që ka qenë zhgënjyese, sepse kam punuar shumë për të arritur aty dhe isha e emocionuar për gjithçka. Por kjo është jeta. E kuptoj këtë”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se, edhe pse është ndjerë jashtëzakonisht e lehtësuar kur mori lajmin se ishte “e pastër” nga kanceri, kjo nuk e bëri më të lehtë procesin e rikuperimit.

“Mos më keqkuptoni, të marrësh lajmin se je e pastër është diçka e pabesueshme, por ky rezultat nuk e shpejtoi apo lehtësoi rikuperimin fizik pas operacionit”, ka shkruar ajo.

Jessie J ka thënë se kjo përvojë i ka dhënë një mësim të rëndësishëm.

“Kjo gjendje urgjente më kujtoi se duhet të ngadalësoj ritmin në të ardhmen”, ka thënë këngëtarja.