Këngëtarja e mirënjohur, Jessie J, ka treguar se pas një viti shumë të vështirë, gjatë të cilit u trajtua pasi u diagnostikua me kancer të gjirit, ajo është gati të ecë përpara dhe të eksplorojë drejtime të reja në karrierë, përfshirë komedinë.
Këngëtarja 37-vjeçare ka zbuluar në muajin qershor se ishte diagnostikuar me kancer të gjirit. Pas trajtimit që iu nënshtrua gjatë vitit 2025, Jessie ka thënë se këtë vit dëshiron ta shijojë jetën dhe të fokusohet te gjërat që e bëjnë të lumtur.
“Vitin tjetër do të doja shumë të merresha me stand-up comedy. Do të doja të bëja më shumë komedi. Do të doja edhe film”, ka thënë ajo në podcstin Ëomen’s Health UK Just As Well.
Këngëtarja ka shtuar se, megjithëse do të jetë e angazhuar me turne muzikore, ka ende shumë plane artistike.
“Sigurisht që vitin tjetër do të jem në shumë turne. Dua patjetër të krijoj më shumë muzikë. Nuk kam shkruar një këngë prej tre vitesh, por e di që gjithçka është aty, gati për të dalë”, ka thënë ylli.
Për Jessien, prioriteti kryesor tani është mirëqenia personale dhe familja.
“Dua vetëm të jem e lumtur. E qetë mendërisht, të shijoj atë që bëj, të jem e shëndetshme, e pranishme si nënë po aq sa jam në punë, dhe të nxjerr disa këngë të bukura”, ka thënë ajo.
Këngëtarja ka shtuar se është e hapur ndaj çdo sfide të re që mund t’i vijë përpara.
“Ndoshta diçka që më sfidon, qoftë një libër, një album për fëmijë, komedi, Broadway apo film. Çfarëdo që të vijë, do të vijë.”
Jessie J, e cila ka një djalë dyvjeçar, Sky, me partnerin e saj Chanan Colman, ka zbuluar gjithashtu se në vitin 2023 u diagnostikua me ADHD, pasi u bë nënë.
“Ishte pasi pata një fëmijë. Thjesht nuk mund ta fshihja më… Kur mora përgjegjësinë e Skyt dhe mënyrën si funksionon truri im, sidomos si nënë e re, ditët e lodhjes ishin të çmendura”, ka thënë Jessie.
Ajo tregoi se diagnoza e ka ndihmuar të kuptojë më mirë veten.
“U diagnostikova dhe më pas fillova të punoj seriozisht me këtë, me terapi, duke mësuar si ndihet, kur përkeqësohet dhe çfarë e përmirëson”, ka thënë ylli.
Këngëtarja ka treguar tutje se vuan edhe nga OCD, por po punon për ta menaxhuar të dyja gjendjet.
“Po punoj për t’i përmirësuar dhe për të qenë versioni më i mirë i vetes, por edhe për ta pranuar që kështu funksionon truri im dhe kjo është në rregull”, ka thënë ajo.
Jessie ka treguar gjithashtu se beson se ADHD, në mjedisin e duhur, mund të jetë forcë.