Këngëtarja e njohur, Jessie J, ka treguar se do t’i nënshtrohet një tjetër operacioni para fundit të vitit, pas ndërhyrjes që bëri në qershor pasi ishte diagnostikuar me kancer gjiri në fazë të hershme.
Këngëtarja 37-vjeçare, e cila ka një djalë dyvjeçar, Sky, me partnerin Chanan Colman, e ndau lajmin në një postim të gjatë në Instagram, ka raportuar FemaleFirst.
“Mund të pushoj, të jem prind dhe të publikoj muzikë të re. Nuk ika nga një kompani diskografike pas 18 vjetër për t’u frikësuar të rishkruaj rregullat që i përshtaten jetës dhe shëndetit tim. Thjesht duhet t’i bëj të qarta të gjitha rolet që mund t’i përmbush në jetën time. Një operacion tjetër këtë vit. Mund ta bëj. Rritja e një fëmije të vogël. Mund ta bëj. Publikimi i muzikës së re. Mund ta bëj”, ka shkruar ajo.
Këngëtarja ka shtuar se duket ndryshe nga çka kishte planifikuar, por kjo është jeta.
“Gjërat ndryshojnë dhe ose panikohemi dhe mërzitemi që nuk është siç ishte menduar, ose përshtatemi. Po ndjek rrjedhën e jetës, duke mësuar kush jam në amësi dhe kur shëndeti më merr kthesë të papritur”, ka thënë ylli.
Jessie, e cila ndodhet ende në proces rikuperimi shtatë javësh pas operacionit, ka thënë se e sheh të ardhmen me optimizëm.
“Trupi im është ende duke gjetur ekuilibrin, por e dua muzikën dhe e dua jetën time, dhe dua të jetoj në moment. Në vend që të ndalem dhe të zhdukem, duke pritur kohën e duhur për të publikuar muzikë, po zgjedh të vazhdoj”, ka thënë tutje këngëtarja.
Ajo ka shtuar gjithashtu se jetën duhet jetuar sa më mirë që është e mundur ani pse ka ulet e ngritjet e veta.
“Këtu jam. Duke jetuar. Dhe thjesht dua që ju ta keni muzikën… a kemi marrëveshje?”, ka shkruar ndër të tjera ylli.
Postimi i saj shoqërohet me një video të shkurtër, e cila mbyllet me datën “29 gusht” në ekran, aludim për publikimin e projektit të ardhshëm muzikor, ani se nuk ka zbuluar më shumë detaje.