Aktorja e serialit “Hacks”, Jean Smart, është duke u rikuperuar pas nënshtrimit të një operacioni në zemër.
Ajo nuk ka zbuluar se për çfarë procedure bëhet fjalë por e ka konfirmuar lajmin se gjithçka kaloi me sukses, dhe u kërkoi fansave ta dëgjojnë trupin e tyre kur ju tregon shenja që diçka nuk është në rregull, dhe gjithmonë të kërkojnë këshilla mjekësore.
“Shkurti është muaji i ndërgjegjësimit për shëndetin e zemrës në Amerikë, kështu që më duket e rëndësishme ta ndaj me të gjithë ju lajmin se aktualisht jam duke u shëruar nga një procedurë e suksesshme në zemër, së cilës i jam nënshtruar së fundmi. Jam me fat që kam kujdes të jashtëzakonshëm dhe profesional, bashkë me përkrahjen nga familja dhe miqtë e mi. Ju lutem dëgjojeni trupin tuaj dhe mos ngurroni të konsultoheni me mjekun për çdo problem apo shqetësim. Unë jam e lumtur që e kam bërë këtë”, deklaroi aktorja 71-vjeçare.
Sipas portalit “Deadline”, puna rreth realizimit të sezonit të tretë të komedisë së platformës HBO Max, “Hacks”, ku Jean Smart e luan rolin e Deborah Vance, është pezulluar përkohësisht derisa aktorja të rikuperohet plotësisht, por pritet që xhirimet të rifillojnë nga 13 marsi i këtij viti.