Aktori dhe komediani britanik James Corden (40), prezantues i emisionit të popullarizuar televiziv amerikan, The Late Late Show, tha se është i ngazëllyer që për herë të dytë do të jetë prezantues në ceremoninë e çmimeve “Tony” e cila do të mbahet në qershor në New York.
“Komuniteti i Broadway është shumë i dashur për mua dhe jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj nate të veçantë”, - tha Corden. Ceremonia Tony Awards e vitit 2016, në të cilën ai ishte prezantues, kaloi nën hijen e të shtënave masive në një klub homoseksual në Orlando.

Komediani britanik atëherë foli për diversitetin e Broadwayit, duke theksuar se “teatri është një vend ku anëtarët e të gjitha racave, besimeve apo orientimeve seksual janë të barabartë dhe të dashur. Ai gjithashtu vuri në dukje se urrejtja nuk do të fitojë kurrë, shkruan KOHA Ditore.
Corden është edhe vetë fitues i çmimit Tony për aktorin më të mirë në shfaqjen teatrale "One Man, Two Guvnors" nga viti 2012.
Nominimet do të shpallen më 30 prill ndërsa ceremonia treorëshe do të mbahet në ndërtesën njujorkeze Radio City Music Hall më 10 qershor në praninë e shumë aktorëve të famshëm dhe yjeve të muzikës.