Showbiz

Jimmy Kimmel: Nga këndvështrimi i fashizmit, tirania po lulëzon në SHBA

Jimmy Kimmel

Jimmy Kimmel, fotografi nga Chanel 4

Komediani i njohur amerikan, Jimmy Kimmel, u shfaq në ekranet britanike ditën e Krishtlindjes për të mbajtur të ashtuquajturin “mesazhi alternativ i Krishtlindjes”, ku deklaroi se tirania në Shtetet e Bashkuara është “në lulëzim” dhe se viti që lamë pas ka qenë i suksesshëm për Amerikën “nga këndvështrimi i fashizmit”.

Humoristi dhe prezantuesi i njohur amerikan u zgjodh nga televizioni publik britanik Channel 4 për të dhënë një fjalim alternativ ndaj fjalimit tradicional të mbretit.

Ky televizion, çdo vit, fton një figurë të njohur, shpeshherë edhe kontroverse, për të ofruar një kundërvështrim ndaj mesazhit zyrtar të monarkut.

Channel 4 ka deklaruar se Kimmel është gjendur “në vijën e parë të betejës amerikane për lirinë e shprehjes”, ka raportuar New York Times.

Mesazhi i Kimmelit në Chanel 4:

Në të kaluarën, këtë fjalim e kanë mbajtur figura si ish-presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad dhe Edward Snowden, ish-kontraktori i inteligjencës amerikane që zbuloi programet e përgjimit masiv.

Kimmel ka thënë se nuk ishte shumë i njohur me këtë traditë britanike.

 “E di çfarë po ndodh tek ne dhe mund t’ju them se, nga këndvështrimi i fashizmit, ky ka qenë një vit vërtet i shkëlqyer. Tirania është në lulëzim”, ka thënë komediani.

Ai iu referua pezullimit të përkohshëm të emisionit të tij në muajin shtator nga televizioni ABC, pas komenteve që kishte bërë për personin e akuzuar për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk.

Në fjalimin e tij, Kimmel, ka thënë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, donte “të më mbyllte gojën sepse nuk e adhuroj në mënyrën që ai dëshiron të adhurohet”.

Sipas tij, reagimi i fortë publik i ka detyruar drejtuesit e televizionit ta rikthenin emisionin në transmetim vetëm disa ditë më vonë.

“Ne fituam, presidenti humbi dhe tani jam sërish çdo natë në ekran”, ka thënë Kimmel, duke falënderuar protestuesit dhe ata që e mbështetën në rrjete sociale.

Gjatë fjalimit, ylli i “Late Night Show” e quajti presidentin “Mbreti Doni VIII” dhe “njeriu që mendon se është mbreti ynë”, duke akuzuar administratën Trump se po “shkatërron, figurativisht dhe realisht, themelet e demokracisë”.

“Që nga shtypi i lirë, te shkenca, te mjekësia, te pavarësia e gjyqësorit, e deri te vetë Shtëpia e Bardhë, gjithçka është në rrëmujë”, ka thënë ai.

Kimmel u kërkoi ndjesë shikuesve britanikë për pasojat që këto zhvillime mund të kenë edhe për Britaninë dhe u kërkoi: “Mos hiqni dorë nga ne”.

Ai e përshkroi situatën në SHBA si “një lëkundje të përkohshme”, duke shtuar se vendi do të rikthehet në normalitet me kalimin e kohës.

“Na jepni edhe rreth tre vjet. Dua ta dini se nuk jemi të gjithë si ai, nuk jemi të gjithë ashtu. Ndoshta nuk duket kështu, por ne ju duam”, ka thënë Kimmel, duke iu referuar në mënyrë të tërthortë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028.

Fjalimi i Kimmel u transmetua rreth tre orë pas adresimit tradicional të Mbretit Charles III, i cili ka bërë thirrje për “dhembshuri dhe pajtim” në vend të përçarjes.

Mbreti ka theksuar gjithashtu “diversitetin e madh” të Britanisë dhe ka folur për takimet e tij me njerëz të besimeve jo të krishtera, vetëm pak javë pasi administrata Trump paralajmëroi se Evropa po përballej me “rrezikun e zhdukjes së qytetërimit” për shkak të emigracionit.