Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Jada Pinkett Smith pohon se Chris Rock i ka kërkuar takim

Ylli i njohur i Hollywoodit, Jada Pinkett Smith, ka qenë kryefjalë e mediave ditëve të fundit për shkak të deklaratave se ajo dhe bashkëshorti, Will Smith, kanë jetuar “jetë komplet të ndara” që nga viti 2016.

Këtë zbulim, aktorja e bëri gjatë intervistës ekskluzive për kanalin NBC News, e cila si e plotë pritet të publikohet së shpejti.

Jada dhe Will janë martuar në vitin 1997 derisa sipas aktores, çifti ende nuk janë shkurorëzuar ligjërisht.

Ndër të tjera Jada deklaroi se komediani, Chris Rock, të cilin Smith e qëlloi me shuplakë në fytyrë në ceremoninë “Oscar”, në të kaluarën i kishte kërkuar takim.

“Mendoj se çdo verë dilnin lajme të pavërteta se unë dhe Will po shkurorëzoheshim. Dhe në një verë të caktuar, Chris më telefonoi dhe më tha se dëshiron të dal në takim me mua. Unë e pyeta e çuditur se pse e kërkon këtë takim dhe ai tha se ka menduar që unë dhe Will po shkurorëzohemi. Kur i tregova se nuk është e vërtetë dhe se këto janë vetëm spekulime ai u tmerrua dhe më kërkoi falje. Kjo ishte e tëra”.

Jada nuk zbuloi se në cilin vit ka ndodhur ngjarja, por e pranoi se ajo dhe Chris nuk kanë folur me njëri-tjetrin nga incidenti i vitit 2022, kur komediani bëri shaka në emër të saj lidhur me sëmundjen alopecia.