Showbiz

Ish-asistentja që e akuzon Kanye West për sulm seksual “është fshehur dhe ka frikë”, thotë avokati i saj

Kanye West

Kanye West

Foto: Associated Press

Lauren Pisciotta, 36 vjeçe, ish-asistente e Kanye West (i njohur tani si Ye), është ende duke u fshehur dhe frikësohet, pasi ka ngritur akuza për sulm seksual ndaj reperit, ka theksuar avokati i saj në një deklaratë për BBC-në.

Pisciotta fillimisht ka paditur Westin në muajin qershor të vitit 2024, duke pretenduar se ishte ngacmuar seksualisht dhe përndjekur nga ai. Në një version të përditësuar të padisë, të dorëzuar më 10 korrik 2025, ajo e akuzon reperin për trafikim seksual, përndjekje, sulm dhe përdhunim.

West i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i quajtur pretendimet e saj “të trilluara”.

Rasti civil pritet të rikthehet në gjykatë muajin tjetër në SHBA, por avokati i Pisciottas, Arick Fudali, ka thënë se klientja e tij po fshihet dhe “është e frikësuar”.

“Ajo ka fshirë shumicën e gjurmëve të saj nga interneti dhe thjesht po fshihet, duke pritur që procesi gjyqësor të zhvillohet”, ka thënë Fudali për BBC-në.

Sipas tij, gjendja emocionale e Pisciottës është e rënduar.

“Është vërtet e trishtueshme, ajo ka kaluar shumë dhe ka vuajtur që nga fillimi i punës me z. West”.

Pisciotta nisi punën si asistente e West në vitin 2021. Padia fillestare e saj, e dorëzuar më 3 qershor 2024, përfshinte akuzat për ngacmim seksual, shkelje kontrate dhe largim të padrejtë nga puna.

Në padinë e përditësuar, Pisciotta pretendon se vetëm gjashtë ditë pas ngritjes së akuzave, ajo u bë viktimë e një akti të njohur si “swatting”, një formë përndjekjeje ku raportohet rrejshëm një krim i rëndë për të nxitur policinë të ndërhyjë me forcë.

Ajo ka thënë se në një rast, policia e Floridas kreu një bastisje të armatosur në shtëpinë e saj, pas një raportimi të rremë se Pisciotta kishte vrarë nënën e saj.

Në padi thuhet gjithashtu se ajo ka marrë telefonata kërcënuese ku i kërkohej të mos e ndjekë padinë, duke i thënë se “nuk do të fitojë kundër Westit”.

Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, Pisciotta pretendon se gjatë kohës që punonte për reperin, ajo ishte ngacmuar dhe sulmuar seksualisht në mënyrë të përsëritur.

Në një rast të përshkruar gjatë punës për albumin "DONDA", ajo ka thënë se West hyri në dhomën e saj të hotelit duke kërkuar të përdorte dushin. Sipas saj, ai doli nga banjoja pa asnjë rrobë dhe e detyroi ta kryente një akt seksual oral.

Ajo gjithashtu pohon se West zhvillonte marrëdhënie seksuale me punonjës të kompanisë së tij “Yeezy” në zyrë, i regjistronte këto akte dhe ia adërgonte videot asaj, së bashku me mesazhe me përmbajtje seksuale dhe fantazi të dhunshme.

Në padi thuhet edhe se West shfaqte rregullisht sjellje raciste dhe antisemitike në ambientin e punës.

“Ye përdorte vazhdimisht sharje raciste dhe antisemitike dhe i merrte në pyetje punonjësit që dyshonte se ishin hebrenj. Në disa raste, ai u kërkonte asistentëve dhe stafit të vizatonin svastika në vendin e punës”, thuhet në dokument.

Në një intervistë për podcastin Fame Under Fire të BBC-së, Fudali ka theksuar se disa postime të Westit në rrjete sociale mund të interpretohen si pranim i sjelljeve të tij.

“Ai ka një këngë që quhet 'Heil Hitler'. Vetëquhet një ‘Me Too që ecën’. Pranon se ka ngacmuar seksualisht punonjësit e tij. Po të shohësh çfarë ka bërë publikisht, mund të imagjinosh çfarë ka bërë privatisht”, ka thënë Fudali.

Megjithatë, postimet në rrjete sociale nuk përbëjnë pranim të drejtpërdrejtë të fajit në aspektin ligjor dhe ekipi i Westit i mohon të gjitha akuzat.

Fudali ka thënë se të gjitha postimet e Westit do të përdoren si provë gjatë marrjes në pyetje dhe në gjyq.

BBC i ka kërkuar ekipit të Westit një përgjigje për këto pretendime, por nuk ka marrë përgjigje.

“Padia e përditësuar e Lauren Pisciottës është versioni i katërt që ajo ka paraqitur. Çdo version bie ndesh me tjetrin”, pati thënë zëdhënësi i reperit në një deklaratë të mëhershme për Usa Today.

Ai e quajti padinë e fundit një kapitull të ri të një trillimi të fryrë, që diskrediton çdo dëshmi të mëparshme, aktuale dhe të ardhshme.

“Jemi të gatshëm të rrëzojmë këto trillime përpara jurisë, një shpallje pafajësie aq e pashmangshme, sa që edhe ajo, në mjegullën e saj të fantazisë, duhet ta shohë që po vjen”, ka përfunduar zëdhënësi.