Showbiz

Irina Shayk thotë se paparacët po e frikësojnë vajzën e saj 4-vjeçare

Irina Shayk ka thënë se vajza e saj po shqetësohet tej mase nga prezenca e vazhdueshme e paparacëve sa herë që ato dalin bashkë në rrugë apo diku tjetër.

Modelja 35-vjeçare ka deklaruar se po detyrohet t’ia sqarojë gjatë gjithë kohës vajzës së saj 4-vjeçare se paparacët vetëm kryejnë punën e tyre dhe asgjë më shumë.

“Nganjëherë vajza ime frikësohet. Ajo i vëren paparacët kur janë shumë larg. Shpeshherë na është dashur t’ia sqarojmë se ata vetëm bëjnë punën e tyre, sepse ata jetojnë duke bërë fotografi, nuk ke pse të frikësohesh”, ka thënë Shayk.

Supermodelja 35-vjeçare mundohet ta mbajë larg syrit të publikut jetën e saj private, pasi siç ka thënë, dëshiron që ta mbrojë vajzën e saj.

Ajo po ashtu ka rrëfyer se si bashkë me babain e Leas, aktorin Bradley Cooper, mundohen ta edukojnë vajzën e tyre sa më mirë.

“Unë dhe babai i saj jemi shumë strikt. Kur ajo përfundon ushqimin, duhet të ngrihet nga tavolina, të marrë pjatën e saj dhe të thotë ‘faleminderit’. Pa ‘të lutem’ ose ‘faleminderit’, ajo nuk bën asgjë”, ka sqaruar ajo.

Irina ka folur edhe për vështirësitë që ka duke e rritur vajzën e saj më shumë e vetme.

“Është shumë e vështirë të jesh nënë beqare dhe të jesh një grua që punon. Shpeshherë zgjohem në mëngjes dhe them ‘O zot, nuk e di çfarë të bëj’. Gratë janë të vetmet që mund të përballojnë gjithçka. Ato mund të rrisin fëmijë, të punojnë dhe kur të kthehen nga puna, të përgatisin, të pastrojnë dhe të bëjnë edhe punë më të rënda”, është shprehur ajo.

Irina Shayk është përfolur muajve të fundit për një romancë me reperin amerikan, Kanye West, mirëpo ndonëse jozyrtarisht nga çifti, mediat kanë raportuar se ata e kanë ndërprerë lidhjen e tyre të shkurtër.

Image
Irina Shayk në shëtitje me vajzën e saj, Lea