Iam Tongi, është shpallur fitues i talent shout “American Idol”.
Këngëtari 18-vjeçar arriti t’i mposhtë dy konkurrentët e fundit, Megan Danielle dhe Colin Stough, në finalen e madhe e cila u transmetua në kanalin ABC.
Iam – i cili u lind në Haëaii por ka prejardhje nga popujt autokton polinezian Tongan dhe Samoan – u bë fituesi i edicionit të 21-të të shout të famshëm, kjo pasi e mahniti jurinë dhe publikun me performancën e shkëlqyer të këngës “Don’t Let Go”. Ai gjithashtu mori vlerësime të larta pas interpretimit të këngës “Making Memories of Us”, e cila ishte ndër të preferuarat e prindërve të tij. Kjo performancë bëri që anëtarët e jurisë të ngrihen në këmbë, teksa Katy Perry u shfaq jashtëzakonisht e emocionuar.
Për performancën e fundit në natën finale, këngëtari tinejxher u shoqërua në skenë nga ylli i muzikës, James Blunt, dhe së bashku e interpretuan hitin e këtij të fundit, “Monsters”. Iam, të cilit para pak muajsh i ka vdekur babai, u përfshi nga lotët gjatë kësaj performance por kjo vetëm sa e bëri më të vërtetë dhe më të bukur interpretimin e tij.
“Kjo është ajo çfarë bashkëshorti im Rodney ëndërroi. Ai donte që të gjithë të dëgjonin talentin e djalit tonë, Iam, dhe mendoj se ai e ka vendin pikërisht aty në skenë”, deklaroi nëna e këngëtarit, Lillie.
Ndërkohë, finalja e sezonit të 21-të të shout “American Idol”, e cila zgjati plot tri orë, gjithashtu I përfshiu performancat e yjeve të muzikës si, Kylie Minogue, Pitbull, grupi “TLC” dhe Clay Aiken. 54-vjeçarja Minogue e interpretoi këngën e re “Padam Padam” e cila është pjesë e albumit të saj të ardhshëm, “Tension”.