Ylli i filmit dhe teatrit, Hugh Jackman, e ka ndarë një mesazh personal përmes së cilit i lut fansat për të marrë në konsideratë rëndësinë e ruajtjes nga dielli, duke zbuluar se ai aktualisht është në pritje të rezultateve të testit për të përcaktuar nëse i janë zhvilluar kancere të reja të lëkurës.
Përmes një videoje të shpërndarë në Instagramm aktori i famshëm australian shpjegon se sapo i ka përfunduar dy biopsi me kërkesë të mjekut. Sipas tij, brenda tri ose katër ditëve të ardhshme e kupton nëse vuan nga kanceri i lëkurës, dhe u premtoi fansave se do t’i informojë për gjithçka në momentin që i pranon rezultatet e testit.
Megjithëkëtë, Jackman nuk ngurroi ta shpreh rëndësinë e mbrojtjes nga dielli, tani që vera është shumë afër, dhe u bëri thirrje njerëzve që të mos harrojnë të përdorin rregullisht kremra për diell.
“Pavarësisht se sa shumë keni dëshirë të keni lëkurë të rrezitur, më besoni, ua them nga thellësia e zemrës që nuk ia vlen ta rrezikoni shëndetin tuaj. Problemet me të cilat po përballem unë sot janë rezultat i moskujdesit të para 25-vjetëve. Thjeshtë, vendosni krem për mbrojtje dhe vazhdoni të argëtoheni nën rrezet e diellit. Ju lutem kujdesuni për veten”, deklaroi aktori.
Nga viti 2013, Jackman i është nënshtruar së paku shtatë procedurave për largimin e karcinomave të qelizave bazale, që janë forma më e zakonshme e kancerit të lëkurës. Në një intervistë të realizuar në vitin 2015 për revistën “People”, aktori e pranoi se diagnozat e tij ishin të papritura, duke pasur parasysh se ai kurrë nuk ishte edukuar mbi rreziqet e kancerit të lëkurës.
Edhe“Është gjithmonë tronditëse kur dëgjon fjalën ‘kancer’. Kur rritesh në Australi, ekspozimi ndaj diellit është një gjë shumë e zakonshme. Si fëmijë, unë kurrë nuk kam përdorur krem kundër rrezeve të diellit, prandaj nuk është çudi që tani jam i rrezikuar nga kanceri i lëkurës”.
Roli i fundit filmik i aktorit Hugh Jackman ishte në dramën “The Son”, e cila u lansua nëpër kinema në muajin shkurt. Vitin e ardhshëm ai e përsërit rolin e famshëm të superheroit, Wolverine, në vazhdimin e tretë të filmit “Deadpool”.