Showbiz

Heidi Montag dhe Spencer Pratt padisin qytetin e Los Angelesit për djegien e shtëpisë

Spencer Pratt dhe Heidi Montag

Spencer Pratt dhe Heidi Montag

Foto: Associated Press

Heidi Montag dhe Spencer Pratt, çifti i njohur nga reality show “The Hills”, kanë paditur qytetin e Los Angelesit pasi shtëpia e tyre në Pacific Palisades është djegur nga zjarret masive që kanë përfshirë jugun e Californias në javët e fundit. 

Agjencia e lajmeve Associated Press ka shkruar se ata, së bashku me më shumë se 20 pronarë të tjerë dhe banorë të prekur nga zjarri në Palisades, ngritën padinë të martën, duke fajësuar autoritetet e qytetit dhe Departamentin e Ujit të Los Angeles (LADWP) për problemet me furnizimin me ujë, që penguan përpjekjet për shuarjen e zjarrit dhe shkaktuan dëme të mëdha në pasuritë e tyre.

Në padi pretendohet se dështimi i sistemit të ujit ka kontribuar në shkatërrimin e pasurive, duke theksuar se rezervuari Santa Ynez, që furnizon lagjen Pacific Palisades, ishte jashtë funksionit që nga muaji shkurt i vitit 2024 për shkak të riparimeve. 

Si pasojë, ujësjellësi i lagjes ishte lidhur me tri rezervuare që kishin gjithsej 3.7 milionë litra ujë, por është harxhuar brenda 12 orëve, duke lënë zjarrfikësit pa ujë të mjaftueshëm për të shukur flakët.

Në padinë e tyre, ata kanë thënë se pa ujë nga ujësjellësi, zjarrfikësit ishin të detyruar të mbështeteshin kryesisht te këto rezervuare, të cilët nuk ishin ndërtuar për të luftuar një zjarr kaq të madh. 

“Sistemi dështoi patjetër, dhe ky dështim ishte faktor i rëndësishëm që çoi në humbjet që kërkohen në këtë padi”, thuhet në dokumentin ligjor.

Paditësit kërkojnë që qyteti dhe Departamenti i Ujit të Los Angeles të mbajnë përgjegjësi për dëmet që shkaktoi ky dështim i sistemit të ujit. Ata po përdorin një parim të njohur si “inverse condemnation”, i cili përdoret për të detyruar kompanitë e shërbimeve publike të paguajnë për dëmet që shkaktohen nga mjetet ose dështimet e tyre.

Zjarri në Palisades ka shkaktuar vdekjen e 28 personave dhe ka shkatërruar më shumë se 12,000 ndërtesa, duke e bërë atë një nga zjarret më shkatërruese në historinë e shtetit.

Guvernatori i Californiaë, Gavin Newsom, ka kërkuar një hetim të pavarur për Departamentin e Ujit të Los Angeles, ndërsa shqetësimet për rezervuarët që janë shterur dhe për mungesën e presionit të ujit po rriten çdo ditë.