Aktorja e njohur Jamie Lee Curtis ka thënë se do t’i dhurojë një milion dollarë për të rikuperuar atë që shkatërruan zjarret në Kaliforni.
Ajo lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram të enjten, ku ka thënë se ajo dhe familja e saj kanë krijuar një fond për ta ndihmuar Kaliforninë.
“Ndërsa zjarri ende vazhdon dhe CalFire, Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angeles dhe të gjitha agjencitë e tjera të përfshira janë ende duke punuar fort për të luftuar zjarret dhe shpëtuar jetë, bashkë me burrin tim dhe fëmijët kemi premtuar një milion dollarë nga fondacioni ynë familjar për të krijuar një fond mbështetjeje për qytetin dhe shtetin tonë të mrekullueshëm dhe për njerëzit e shkëlqyer që jetojnë aty e e duan atë vend” ka shkruar ajo, raporton KTLA.
Curtis ka thënë gjithashtu se është në kontakt me guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, kryebashkiaken e Los Angeles, Karen Bass, dhe senatorin Adam Schiff për të parë se ku duhet të drejtohen këto fonde në mënyrë që të kenë më shumë ndikim”.
Për më tepër, të martën, zjarri në Pacific Palisades i detyroi Curtisin dhe mijëra të tjerë të evakuohen.
Curtis, gjatë paraqitjes në emisionin “The Tonight Show” me komedianin Jimmy Fallon” në New York ka treguar se jeton në zonën që po digjet.
“Po shpërthej në lot, për të qenë e sinqertë. Fluturova këtu mbrëmjen e kaluar dhe në avion fillova të merrja mesazhe, dhe është vërtet e tmerrshme”, ka thënë aktorja.
Ajo e cilësoi ngjarjen si një “katastrofë”, duke shtuar se tregu ku ajo bënte blerjet dhe shkollat e fëmijëve e saj janë djegur.
“Është një situatë e tmerrshme”, ka thënë ajo, duke shpjeguar se do të kthehej në Kaliforni të enjten për t’u bashkuar me të dashurit e saj dhe për t'i ndihmuar miqtë.
Zjarri i në Pacific Palisades është cilësuar si zjarri më shkatërrues në historinë e Los Angeles.
Mëngjesin e së enjtes, zjarri është vlerëzuar se kishte përfshirë 17,000 ari tokë dhe ende nuk mund të vihej nën kontroll.