Showbiz

Heidi Klum beson se vajza e saj Lou mund të bëhet presidente e SHBA-së

Heidi Klum

Heidi Klum

Foto: Associated Press

Supermodelja Heidi Klum beson se vajza e saj më e vogël, Lou, mund të bëhet presidente e ardhshme e Shteteve të Bashkuara, për shkak të kureshtjes dhe interesave të saj të shumta.

52-vjeçja, e cila është nënë e katër fëmijëve, ka parë që dy më të mëdhenjtë, Leni (20 vjeç) dhe Henry (19 vjeç), kanë ndjekur hapat e saj në industrinë e modës, ndërsa Henry po mendon gjithashtu për karrierë në art. Por vajza më e vogël, Lou (15 vjeçe), që është fëmija i saj me këngëtarin Seal, duket se ka ambicie të tjera.

Lou dhe Seal

“Mendoj se një ditë do të bëhet presidente. Tani për tani, Lou është 15 vjeç dhe më së shumti merret me arte dhe zanate, debat, kor dhe shumë gjëra të ndryshme”, ka thënë Klum për revistën britanike HELLO!, ka raportuar FemaleFirst.

Edhe pse Lou nuk është e interesuar për modelim, Klum ka theksuar se ajo gjithmonë i këshillon fëmijët e saj që të kujdesen për qëndrimin e trupit.

“Këshilla më e mirë që kam për këdo që dëshiron të bëhet model është të punojë me qëndrimin. Prandaj gjithmonë u them fëmijëve të mi: qëndroni drejt, bëhuni më të gjatë, ndihuni krenarë”, ka thënë ajo

Ish-modelja e brendit të njohur “Victoria’s Secret”, ka shtuar gjithashtu se për të është shumë e rëndësishme që fëmijët e saj të dinë kur të thonë “jo”.

“Më e rëndësishmja është që t’u them të jenë të kujdesshëm, të jenë të lumtur dhe të mos kenë frikë të thonë jo për gjërat që nuk duan t’i bëjnë”, ka thënë tutje ylli.

Klum ka treguar se është befasuar kur djali i saj Henry i ka kërkuar të provojë modelimin, sepse kishte menduar që ai do të ndiqte muzikën.

“Gjithmonë kam menduar se ishte më shumë i interesuar për muzikë, por erdhi dhe më tha se dëshironte vërtet ta provonte modelimin. Dhe unë jam përkrah tij, sepse është një botë e re për të”, ka thënë gjermania.

Në anën tjetër, vajza e saj më e madhe, Leni, po shkëlqen në industrinë e modës. Vajza e supermodeles me ish-partnerin italian Flavio Briatore, e cila më vonë u adoptua ligjërisht nga Seal, ka realizuar fushata për brende si “Dior”, “Fila” dhe “Intimissimi”.

“Leni po ia del shumë mirë. Është e jashtëzakonshme, por gjithmonë e di që jam këtu për ta dhënë një këshillë nëse ka nevojë”, ka thënë Klum.

Ajo ka ndarë edhe një moment personal që ka të bëjë me djalin e saj Johan, i cili tani ka filluar të ngasë makinën dhe po përgatitet për kolegj.

“Djali im Johan sapo ka kaluar testin për patentë shofer, kështu që tani po qarkullon me makinë, gjë që më tremb pak. Ai po shkon në kolegj, prandaj tani shumicën e kohës në darkë mbetem vetëm unë dhe Lou”, ka thënë ajo.