Dokumentari i platformës Netflix, “Harry & Meghan”, i cili i sjell disa deklarata dhe pamje ekskluzive nga jeta e Princit Harry dhe dukeshës së Sussexit, debutoi me një shikueshmëri prej 81.55 milionë orësh në javën e parë të transmetimit. Lajmin e bëri të ditur kompania gjigante përmes një komunikate për media.
Kjo është shikueshmëria më e lartë e shënuar nga ndonjë dokumentar në platformën e njohur.
Projekti disa episodësh, tri të parat që janë transmetuar tashmë, është pozicionuar në maje të toplistave televizive në 85 shtete të botës, kurse e zuri vendin e parë në Britani të Madhe. Ishte një nga dokumentarët më të ndjekur në Netflix globalisht për një javë.
Pjesa e dytë e “Harry and Meghan” do të publikohet të enjten (15 dhjetor) me ç’rast do të transmetohen tri episodet e fundit, të cilat fokusohen në vendimin e çiftit kontrovers për t’u larguar nga familja mbretërore.
Një deklaratë e princit nga traileri i pjesës së dytë të këtij projekti, po bënë bujë anembanë botës. Aty, Harry thotë, “Institucioni mbretëror ishte i lumtur të gënjejë, për ta mbrojtur vëllain tim, William”, derisa bashkëshortja e tij Meghan deklaron, “Unë nuk u hodha tek ujqërit, por në fakt ata po ushqeheshin me mua”.
Pallati Buckingham nuk ka pranuar të prononcohet rreth dokumentarit apo hollësive që janë zbuluar në të nga çifti, Harry dhe Meghan, të cilët në përgjithësi kanë shprehur pakënaqësinë e tyre rreth trajtimit jokorrekt të mediave britanike, karshi aktores amerikane të shndërruar në dukeshë, dhe dallimeve përbrenda institucionit mbretëror kur bëhet fjalë tek siguria e familjes së Princit Harry.