Harrison Ford edhe në moshën 76-vjeçare po e ruan me xhelozi rolin e tij më të famshëm, ndërsa në emisionin televiziv “Good Morning America” ai komentoi për planet e ardhshme për franshizën dhe se një ditë, dhe atë shumë shpejt, dikush do të duhet ta zëvendësojë.
“Kush duhet të jetë Indiana pas meje? Askush! Vetëm unë mund të jem Indiana Jones”, – tha Ford me vendosmëri në pyetjen në lidhje me spekulimet e vazhdimit të franshizës.
Dhe derisa në qarqet hollivudiane po përmenden Chris Pratt (39) dhe Chris Pine (38), Harrison ua ka mbyllur derën që të dyve. Disney ka njoftuar më parë se filmi i pestë i kësaj franshize do të duhet të shfaqet në kinema në korrik të vitit 2021. Në të njëjtin muaj, Ford do të bëhet 79 vjeç.

“Kur të largohem, me mua do të largohet edhe franshiza - përfundoi ai me vetëbesim, dhe ndoshta edhe në shaka tha Fordi, i njohur për faktin se nuk i preferon intervistat, shkruan KOHA Ditore.
Kthimi i aktorit në ekranet e mëdha, në rolin e hulumtuesit dhe aventurierit Indiana Jones fillimisht është dashur të ndodhte këtë vit, por u shty më vonë pasi që u vendos se skenari ende duhet të rregullohet. Regjisori Steven Spielberg (72) me Fordin tashmë i ka xhiruar katër filma, të cilët i kanë fituar më shumë se 1.8 miliardë dollarë.