Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Hapet fondacion në emrin e aktorit Matthew Perry

Një fondacion i ri është hapur në emër të aktorit tashmë të ndjerë, Matthew Perry për t’i mbështetur njerëzit që janë të varur nga lëndët narkotike.

Lajmi për hapjen e fondacionit është bërë të premten, duke e përshkruar misionin e këtij fondacioni si angazhim për të ndihmuar njerëzit që kanë varësi.

Ylli i serialit të njohur “Friends” i cili vdiq një javë më parë në Los Angeles në moshën 54-vjeçare, ka abuzuar me alkool dhe lëndë narkotike për dekada të tëra.

Në librin e tij të kujtimeve të vitit 2022, “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, Perry shkroi sinqerisht për problemet e tij, si dhe për dëshirën e tij për të përdorur famën e tij për të bërë një ndryshim. Për këtë synim ai ka folur në intervistat e shumta që ka dhënë në media në momentin e publikimit të librit.

“Kështu që mua më duhet të ndihmojë sa më shumë njerëz”, ka thënë ai.

Fondacioni Matthew Perry u krijua nga National Philanthropic Trust, një organizatë jofitimprurëse që punon me donatorë, fondacione dhe institucione financiare. Ajo tashmë po pranon donacione.

Fondacione të tjera që fokusohen në varësinë janë krijuar nga të famshëm të tjerë dhe familjet e tyre. Melissa Etheridge krijoi fondacionin Etheridge për nder të djalit të saj i cili vdiq nga një mbidozë opioid në vitin 2020. Familja e Amy Winehouse themeloi Fondacionin Amy Winehouse pasi ylli i popit vdiq nga helmimi me alkool në vitin 2011. Dhe pasi Heath Ledger vdiq nga mbidoza në vitin 2008, nëna e tij krijoi fondacionin ScriptWise.

Artikuj të ngjashëm