Aktorja Hailee Steinfeld dhe lojtari i ekipit “Buffalo Bills” të ligës së futbollit amerikan (NFL), Josh Allen, kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë këtë fundjavë në një ceremoni të mbajtur në fshehtësi të madhe në jug të Kalifornisë, ku çifti edhe jeton.

Pamje të siguruara nga revista People kanë treguar Steinfeld të veshur me fustan të bardhë pa rripa, duke ecur drejt altarit dhe duke shkëmbyer një puthje romantike me Allen. Ceremonia u zhvillua më 31 maj, datë që ishte zbuluar rastësisht në muajin mars nga shoku i skuadrës së Allen, Dion Dawkins, i cili më pas u tërhoq duke thënë se “nuk dinte gjë”.

Pavarësisht përgatitjeve për dasmën, Allen ishte i pranishëm në fillimin e stërvitjeve vullnetare të ekipit të tij, që nisën të martën. Ai pritet të flasë për mediat pas datës 10 qershor, kur “Buffalo Bills” nis stërvitjet detyrueshme.

Allen, i cili ka festuar 29-vjetorin e lindjes javën e kaluar, i ka propozuar martesë Steinfeld në muajin nëntor në një shkëmb buzë Oqeanit Paqësor. Ata u fejuan zyrtarisht pikërisht atëherë.
Çifti u shfaq për herë të parë bashkë në pranverën e vitit 2023, kur u fotografuan duke darkuar në New York. Që atëherë, Steinfeld ka qenë prezente në ndeshjet e “Bills” dhe e ka shoqëruar Allen edhe në evente të rëndësishme si “NFL Awards”, në muajin shkurt, ku ai fitoi çmimin “MVP” dhe falënderoi Haileen publikisht.

“Ajo ka qenë mbështetje e madhe për mua. Nuk do isha këtu pa të”, ka thënë ai.
Në muajin prill, ata u panë bashkë në një festë pas premierës së filmit “Sinners”, ku Steinfeld ka rolin kryesor.
Steinfeld, e cila e nisur karrierën e saj si aktore në moshën 10-vjeçare, u nominua për çmim “Oscar” si aktorja më e mirë në rol dytësor, për rolin e saj në filmin “True Grit” të vëllezërve Coen në vitin 2010.
Ndërkohë, Allen po përgatitet për sezonin e tij të tetë në NFL dhe në mars firmosi një kontratë të re me vlerë 330 milionë dollarë.