Për dikë që kishte planifikuar të shkojë në pension disa vjet më parë, Steven Soderbergh është goxha i zënë. Pasi që në fillim të këtij viti në Netflix arriti drama e tij basketbollistike “High Flying Bird”, në shërbimin për streaming po arrin një tjetër film i tij, “The Laundromat”.
Për filmin e tij të ri, Soderbergh e ka mbledhur një ekip të aktorëve të njohur, të udhëhequr nga Meryl Streep, Gary Oldman dhe Antonio Banderas, ndërsa tani kemi mundësinë ta shohim edhe trailerin e parë.

Streep shfaqet në rolin e Ellen, gruas që përballet me tragjedinë personale të shkaktuar nga mashtrimi me sigurime të rrejshme, shkruan KOHA Ditore. Pasi vendos që vetë ta hetojë çështjen, gjurmët e çojnë atë tek Jurgen Mossack dhe Ramón Fonseca, të cilët i luajnë Oldman dhe Banderas.
Filmi është i bazuar në skandalin e njohur si Dokumentet e Panamasë nga viti 2015, kur një informator anonim u zbuloi gazetarëve detaje të operimit në oazat e taksave. Edhe pse tema tingëllon mjaft serioze, gjykuar nga traileri i parë, na pret një atmosferë paksa më e relaksuar, diçka në stilin e filmit “Big Short” të Adam McKay.
Filmi “The Laundromat” do të shfaqet në disa festivale filmike gjatë shtatorit, ndërsa qysh më 18 tetor do të jetë në dispozicion në Netflix.