Showbiz

Maggie Gyllenhaal debuton si regjisore me filmin “The Lost Daughter”

Foto: AP/Associated Press

“The Lost Daughter” është një dramë e re psikologjike e cila vjen me skenar dhe regji të aktores së njohur amerikane, Maggie Gyllenhaal, dhe bazohet në romanin me të njëjtin emër të autores Elena Ferrante.

Filmi fokusohet në pushimet verore të kryepersonazhit Leda Caruso, e personifikuar në film nga Olivia Colman, obsesioni i së cilës për një grua dhe vajzën e saj, i kthen kujtime nga vitet e hershme kur ajo vet ishte bërë nënë.

Premierën botërore ky projekt e shënoi në edicionin e 78-të të Festivalit ndërkombëtar të filmit në Venecie, ku Gyllenhaal e fitoi çmimin “Golden Osella Award” në skenarin më të mirë.

Në film luajnë emra të njohur të kinematografisë, si Olivia Colman, Dakota Johnson, Jessie Buckley, Paul Mescal, Dagmara Domińczyk, Oliver Jackson-Cohen, Peter Sarsgaard dhe Ed Harris.

“The Lost Daughter” e shënon premierën nëpër kinema të përzgjedhura më 17 dhjetor, para se të filloj së transmetuari në platformën Netflix nga 31 dhjetori.