Kjo javë ka qenë e mahnitshme për geekët për shkak se konventa e stripave Comic-Con në San Diego solli shumë lajme dhe prezantoi projekte të shumta. Një prej tyre është edhe seria Star Trek: Picard, për të cilën e kemi trilerin e ri.
Patrick Stewart kthehet në rolin e tij ikonik të Jean-Luc Picard, kapitenit të Starfleet, ndërsa seria e re do të bëjë fjalë për karakterin e tij

legjendar në fazën e re të jetës.
Trileri na sjell Picardin e pensionuar në vreshtin e tij në Tokë, por me një dëshirë të papërmbajtshme për të udhëtuar në gjithësi. Shumë shpejt shfaqet anija misterioze dhe një vajzë e panjohur kërkon ndihmë. Picard vendos ta mbledhë ekipin dhe me guxim të kthehet në gjithësi, shkruan KOHA Ditore.
Trileri na zbulon edhe një surprizë të veçantë: në aventurën e re atij do t'i bashkohet edhe Data (Brent Spiner) dhe Seven of Nine (Jeri Ryan), gjë që i ka gëzuar veçanërisht fansat e serisë Star Trek: The Next Generation. Në serinë e re do t’i shohim gjithashtu aktorët nga seria origjinale: Jonathan Frakes si William Riker dhe Marina Sirtis si Diana Troy.
Picard dhe ekipi i tij në ekranet e vogla do të kthehen vitin e ardhshëm, ndërsa data e saktë nuk dihet ende.