Showbiz

Përzgjidhen 45 kandidatë për juri në gjyqin ndaj Combsit

P.Diddy

P.Diddy

Foto: Associated Press

Të mërkurën, në procesin e gjykimit të reperit, Sean Diddy Combs për trafikim seksual, u sigurua një grup i përzgjedhur prej 45 kandidatësh të mundshëm për jurinë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e përzgjedhjes së jurisë, ka raportuar CNN.

Përzgjedhja përfundimtare e jurisë do të zhvillohet të premten, kur gjykimi rifillon në orën 9 të mëngjesit me kohën lokale të SHBA-së. Avokatët e të dyja palëve do të kenë mundësi të përdorin të ashtuquajturat “goditje përjashtuese” për të larguar anëtarë të padëshiruar nga grupi.

Prokuroria ka të drejtë për përjashtim të 6 personave, ndërsa ekipi mbrojtës i Combs për 10. Juria duhet të përbëhet nga 12 anëtarë. Të dyja palët gjithashtu kanë të drejtë për përjashtim të 3 anëtarëve zëvendësues të jurisë.

Combs ishte sërish i pranishëm në sallën e gjyqit të mërkurën, së bashku me avokatët e tij.

Seanca të enjten nuk do të zhvillohet, pasi palët ranë dakord që do të ishte më efikase të pritet deri të premten për përzgjedhjen e panelit. Disa prej kandidatëve të kualifikuar mund të tërhiqen për shkak të angazhimit që kërkon procesi, i cili pritet të zgjasë disa javë, sipas raportimeve të mëparshme të CNN.

Shumica e anëtareve të mundshëm të jurisë kanë deklaruar se kishin parë pamje nga mediat ose videon e kamerave mbikëqyrjes në hotel, ku shihet Combs duke e tërhequr dhe goditur ish-të dashurën e tij, këngëtaren, Cassie Ventura.

Pasi juria të përzgjidhet të premten, ajo do të betohet zyrtarisht të hënën, para se të nisin deklaratat hyrëse.

Prokuroria ka njoftuar se do të thërrasë dy dëshmitarë të hënën, ndërsa dëshmitari i tretë pritet të zërë pjesën më të madhe të javës.