Aktorja e njohur, Florence Pugh, e ka bërë të ditur lajmin se lidhja e saj tri vjeçare me aktorin dhe filmbërësin, Zach Braff, ka përfunduar në fillim të këtij viti.
Në një intervistë për revistën “Harper’s Bazaar”, Pugh e konfirmoi ndarjen nga ylli i serialit “Scrubs” duke thënë: “Kemi provuar shumë që ta bëjmë ndarjen pa e e kuptuar gjithë bota, sepse ishte një lidhje për të cilën secili njeri e kishte një opinion. Kështu që, menduam se një ndarje e këtillë do të ishte në favor tonin, duke i shmangur mendimet apo komentet e njerëzve tjerë, të cilat kryesisht do të shpreheshin të lumtur që ne nuk jemi më bashkë. Prandaj kemi vepruar kështu”.
Pugh dhe Braff, besohet se e filluan lidhjen romantike në vitin 2019, por e mbajtën atë shumë private dhe shumë rrallë shfaqeshin së bashku në publik. Çifti u përball me kritika të ashpra nga publiku në rrjetet sociale, kjo për shkak të diferencës 21-vjeçare në moshë. Pugh është 26-vjeçare ndërsa Braff 47 vjeç.
Para se lidhja mes tyre të përfundonte, Pugh dhe Braff kishin punuar së bashku në dramën e ardhshme, “A Good Person”. Braff e ka shkruar skenarin, e ka bërë regjinë dhe ka shërbyer si producent i këtij projekti, derisa Pugh vjen në rolin protagonist.
“Filmi që e kemi realizuar së bashku, sinqerisht ishte një prej eksperiencave të preferuara për mua. Gjithçka shkoi me lehtësi dhe në mënyrë spontane”, tregoi Pugh për revistën “Harper’s Bazaar”.
Aktorja britanike, Florence Pugh, nga publiku mbarëbotëror më së miri njihet për rolin në dramën “Little Women”, dhe portretizimin e Yelena Belovas në filmin me buxhet të lartë, “Black Widow”.
