Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Filmi “The Old Guard” i ndihmoi Charlize Theronit t’i tejkalojë fobitë

Charlize Theron, aktorja 44-vjeçare tha se xhirimi i filmit aksion “The Old Guard” kishte qenë “terapeutik” ngase ishte dashur të kalërojë, edhe pse tërë kohën kishte frikë se mund të ndodhë diçka dhe u përball me fobinë e saj drejtpërdrejtë.

“Gjithmonë kam pasur frikë kur isha mbi kalë, mendoja se do të ndodhte diçka e keqe. Andaj, ishte si metaforë për jetën time, në një mënyrë të çuditshme. Ishte terapeutike”, ka thënë ajo për revistën OK!

Charlize gjithashtu duhej të kalonte trajnim intensiv për përdorim armësh.

“Kisha trajnim pesë ditë në javë, për katër muaj para xhirimit. Bëja trajnime për kondicion dhe për luftime. Shumica e trajnimeve përfshinin edhe armë, si sëpata që e përdori në këtë film, gjë që nuk kam bërë asnjëherë më parë”, tha ajo, duke shtuar se “ishte e vështirë, por ia vlejti”.

Ylli që ka fituar edhe çmime Oskar luan së bashku me aktoren Kiki Lane në këtë film, dhe thotë se është e “turpshme” që ende ka aq pak filma ku gratë luajnë disa role kryesore.

“Fatkeqësisht, ende jemi duke jetuar dhe punuar në një vend ku ndonjëherë është shumë vështirë të shohësh gratë në role kryesore... është e turpshme që në karrierën time 30 vjeçare, nuk kam pasur shumë mundësi që ta përjetoj këtë gjë”, ka thënë ajo.