Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, ka thënë se viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në një konferencë ndërkombëtare të investimeve BE-Ballkani Perëndimor, të zhvilluar në Tiranë, në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, Kos ka thënë se Bashkimi Evropian po përgatitet për pranimin e anëtarëve të rinj, duke vlerësuar progresin e vendeve të rajonit në procesin e integrimit.
Ajo veçoi Malin e Zi, që sipas saj është shumë pranë përmbylljes së negociatave, ndërsa për Shqipërinë u shpreh se viti 2027 mund të shënojë një moment të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit, nëse vendi ruan të njëjtin ritëm reformash.
“Reformat e zgjerimit fuqizojnë rritjen ekonomike. Ballkani Perëndimor është pjesë e së ardhmes ekonomike dhe investimeve. Ky është një moment i mirë për të zgjedhur Ballkanin Perëndimor për investimet e huaja. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, Bashkimi Evropian po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj. Dhe dy vendet që kanë ecur përpara janë pikërisht nga ky rajon. Mali i Zi është shumë afër dhe vitin e ardhshëm, në verë, mund të nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit. Shqipëria po ashtu po ecën në të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse vijon me të njëjtin ritëm”, ka thënë ajo.