Aktorja e njohur, Charlize Theron, ka kritikuar hapur industrinë e filmit në Hollywood për mënyrën sesi trajtohen ndryshe aktorët burra dhe gra, sidomos kur bëhet fjalë për dështime në filma aksion.
“Është më e vështirë. Kjo dihet. Filmat aksion me protagoniste gra nuk marrin dritën e gjelbër aq shpesh sa ata me protagonistë burra”, ka thënë 49 vjeçja në një intervistë për The New York Times.

Ajo ka shtuar se është e zhgënjyer nga mënyra sesi aktorët burra shpeshherë kanë rrugë më të lehtë, edhe pas dështimeve të njëpasnjëshme.
“Gjithmonë më frustron fakti që burrat marrin një tjetër shans. Kur një grua e bën një film dhe ai ndoshta nuk rezulton i suksesshëm, ajo zakonisht nuk merr më një mundësi tjetër”, ka thënë aktorja.
Theron, e cila luan në “The Old Guard 2” përkrah koleges Uma Thurman, ka thënë se të dyja ishin të vetëdijshme për peshën që mbartin në këtë projekt.
“Ishim shumë të vetëdijshme se sytë ishin kah ne. Nuk është rreziku që studiot duan ta marrin mbi vete, por këtë rrezik e marrin shumë herë me të njëjtët burra, edhe kur ata kanë një sërë filmash aksion që nuk kanë pasur sukses”, ka thënë tutje ajo.

Theron ka qenë e zëshme më parë për trajtimin e grave në industrinë e filmit. Ajo ka treguar edhe një përvojë shqetësuese nga fillimet e saj në karrierë, kur një regjisor i njohur e priti në shtëpinë e tij për një audicion, veshur me pizhame, dhe i vendosi duart mbi gjunjë. Ajo u largua menjëherë nga situata, por asnjëherë nuk ka zbuluar emrin e tij.
Në një intervistë të fundit për podcastin Call Her Daddy, aktorja ka shpjeguar pse nuk e ka përmendur kurrë identitetin e tij.
“Nuk dua që historia të jetë për të. Nuk është se po e mbroj apo diçka e tillë”, ka thënë ylli.
Ajo ka treguar se pas rrëfimit të saj të parë në The Howard Stern Show në vitin 2019, regjisori e kuptoi se bëhej fjalë për të dhe i dërgoi një letër, duke tentuar të justifikohej.

“Ai më dërgoi një letër të sajuar ku përpiqej të shpjegonte sjelljen e tij dhe se unë ndoshta e kisha keqkuptuar. Kjo është kaq tipike, apo jo?”
Ajo përfundoi me një mesazh të fuqishëm duke thënë se nuk do ta përmend sepse vet ai e di kush është.
“Nuk dua as të them emrin tënd, sepse ti e di që je plehër. E di që je ti. Nëse dikush më pyet ndonjëherë për të, do jem krejtësisht e sinqertë, dhe ai e di këtë. Më pëlqen ideja që ai është në siklet, nuk e di kur do ta zë e vërteta. Më pëlqen kjo”, ka thënë ndër të tjera Theron.