Showbiz

Filmi “The Devil Wears Prada” rikthehet me vazhdim në vitin 2026

Skenë nga filmi "The Devil Wears Prada"

Skenë nga filmi "The Devil Wears Prada"

Meryl Streep dhe Emily Blunt pritet të kthehen në role

Është konfirmuar zyrtarisht: filmi ikonik “The Devil Wears Prada” do të rikthehet në kinema më 1 maj të vitit 2026, nën produksionin e Disney, ka raportuar Variety.

Lajmi për vazhdim të filmit u bë publik për herë të parë në muajin korrik të vitit të kaluar, por tani është zyrtarizuar edhe data e premierës. Edhe pse është raportuar se aktoret Meryl Streep dhe Emily Blunt do të rikthehen në rolet e tyre, studioja nuk ka konfirmuar ende zyrtarisht asnjë emër nga aktorët që kanë luajtur në film më herërt.

“E di që po punojnë për të. Nëse ndodh, do të isha shumë i lumtur, por nuk mund të jap asnjë informacion. Përndryshe do të më çojnë në burgun e aktorëve apo diçka e tillë. Filmi ishte një nga përvojat më të mira ndonjëherë”, ka thënë për Variety aktori Stanley Tucci, i cili luajti redaktorin e modës Nigel në filmin e parë. 

Një rikthim në botën e modës (dhe manipulimit)

Filmi i vitit 2006, i bazuar në romanin bestseller të Lauren Weisberger, tregonte historinë e Andrea Sachs (rolin e së cilës e luante aktorja Anne Hathaway), një gazetare e re që punësohet si asistente e fuqishmes me karakter të ftohtë, Miranda Priestly (rolin e së cilës e luante aktorja Meryl Streep), redaktore e revistës së modës Runway, perzonazhi i së cilës është i frymëzuar nga vetë Anna Wintour, kryeredaktorja e prestigjiozes Vogue. Aktorja Emily Blunt interpretonte asistenten e parë të Priestlyt, ndërsa Stanley Tucci ishte Nigel, redaktori veteran që e fut Andrean në botën glamuroze dhe mizore, të modës.

“Një milion vajza do të vrisnin për këtë punë”, i thuhet Andreas kur ajo hyn në zyrën e Runway me dosjen e saj të artikujve… por pa asnjë sens për modën.

Çfarë dihet për vazhdimin?

Sipas raportimeve të para, vazhdimi do të fokusohet në Miranda Priestlyn ndërsa përballet me rënien e botimeve tradicionale të revistave dhe sfidën e karakterit të Blunt, e cila tani është një ekzekutive e fuqishme në një konglomerat luksoz, pikërisht një grup që kontrollon reklamat që Priestly ka aq shumë nevojë për to.

Planet e tjera të Disney-t

Në të njëjtën kohë, Disney ka bërë ndryshime të mëdha në kalendarin e publikimeve. Dy filmat e ardhshëm serisë së filmave “Avengers”, “Avengers: Doomsday” dhe “Avengers: Secret Wars”, janë shtyrë.

Gjithashtu, është vendosur që filmi “The Dog Stars” nga regjisori legjendar Ridley Scott, të shfaqet më 27 mars 2026.

Ndërkohë, në pritje të filmit “Avatar: Fire and Ash” që do të dalë më 19 dhjetor 2026, Disney do të risjellë në kinema filmin “Avatar: The Way of Water” në format IMAX/3D më 3 tetor, ashtu siç bëri me filmin e parë në prag të vazhdimit të tij.