Traileri i parë i projektit “Snake Eyes”, i cili bazohet në historinë e filmave “G.I. Joe”, e sjell aktorin Henry Golding në rolin e një luftëtari ninxha.
Filmi, i titulluar “Snake Eyes: G.I. Joe Origins”, kthehet prapa në histori dhe e prezanton publikun me fillimet e personazheve të tyre të preferuara.
Vitin e kaluar aktori protagonist, Henry Golding, duke diskutuar për filmin e tij të ardhshëm, e pranoi se është ndarë i mahnitur nga ky projekt. Megjithëkëtë, ai e pranoi se xhirimet për “Snake Eyes”, të cilat ishin finalizuar pak para shpërthimit të koronavirusit, ishin mjaft sfiduese për të. Sipas aktorit, ky projekt është shumë fizik dhe më shumë mund të konsiderohet film i arteve marciale sesa film me superheronj.
Përveç Goldingut, në filmin “Snake Eyes: G.I. Joe Origins” luajnë edhe aktorët: Andrew Koji, Úrsula Corberó, Samara Weaving, Haruka Abe, Takehiro Hira, Iko Uwais dhe Peter Mensah, ndërsa ai do të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 20 gushti.