Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Filmi “Black Panther: Wakanda Forever” e nderon aktorin Chadwick Boseman

Janë publikuar pamjet e para të filmit të ardhshëm “Black Panther”.

Në vazhdimin e dytë të projektit hit të arkave filmike, rikthehen disa prej personazheve më të dashura të bazuara në librat komik “Marvel”, por jo edhe kryepersonazhi Black Panther, kjo pasi aktori që e personifikonte atë, Chadwick Boseman, vdiq në gusht të vitit 2020 nga sëmundja e kancerit, raportoi të martën portali “Female”.

Në trailerin e parë të filmit që e mbanë titullin “Black Panther: Wakanda Forever”, qytetarët e Wakandas shihen duke e vajtuar vdekjen e mbretit të tyre, T’Challa, dhe bëhen gati ta mbrojnë popullin nga një kërcënim i ri, një luftë me mbretërinë ujore të Atlantidës e udhëhequr nga personazhi i ri negativ, Namor, i cili në film portretizohet nga aktori meksikan Tenoch Huerta.

Aktorët yje të këtij filmi gjithmonë kanë treguar se ata e konsiderojnë njëri-tjetrin një familje, prandaj kur u ribashkuan për vazhdimin e dytë të “Black Panther” u betuan ta bëjnë maksimumin për ta nderuar kolegun e tyre të ndjerë, Chadwick Boseman, i cili vdiq pas një betejës disavjeçare me kancerin.

“Ne definitivisht jemi një familje. Kështu kemi qenë nga fillimi. Në filmin e dytë familja është rritur paksa, kemi pjesëtarë të ri të kastës së aktorëve, por që të gjithë janë njerëz zemërmirë të cilëve ju intereson dhe duan ta nderojnë trashëgiminë që Chadwick e ka filluar, dhe të cilën ne duam ta vazhdojmë tutje. Jemi shumë me fat që e kemi njëri-tjetrin”, deklaroi Letitia Wright, e cila në film e portretizon motrën e superheroit Black Panther.

Aktorja e shpërblyer me “Oscar”, Lupita Nyong’o, po ashtu e nderoi regjisorin e këtij projekti, Ryan Coogler, për krijimin e një fryme bashkëpunuese në sheshin e xhirimeve.

Edhe “Black Panther: Wakanda Forever” së shpejti nëpër kinema Showbiz “Black Panther: Wakanda Forever” së shpejti nëpër kinema

“Ryan Coogler e ka krijuar një lloj kulture dhe atmosfere në sheshin e xhirimeve që ishte tejet e veçantë. Të gjithë ishim pjesëtarë të barabartë të ekipit, ishim si një familje e vërtetë dhe dominonte një raport intim mes nesh. Së bashku kemi kaluar nëpër disa situata të vështira dhe sfiduese. Prandaj, na ka ndihmuar të bashkohemi me njëri-tjetrin”, tha aktorja për portalin “Entertainment Tonight”.

Tutje, Nyong’o e pranoi se finalizimi i vazhdimit të dytë të filmit u përcoll me shumë emocione nga i gjithë ekipi.

“Black Panther: Wakanda Forever” lansohet nëpër kinematë botërore më 11 nëntor të këtij viti.