Janë publikuar pamjet e reja të filmit të shumëpritur, “Black Panther: Wakanda Forever”, të cilat ia prezantojnë publikut personazhin e lig të quajtur Namor, si dhe personin e ri që do ta vesh kostumin e superheroit Black Panther.
Projekti i 30-të me radhë i bazuar në universin kinematik “Marvel”, është vazhdim i filmit shumë të suksesshëm të vitit 2018 dhe vjen me regji të Ryan Cooglerit.
Në këtë vazhdim të dytë, qytetarët e Wakandas shihen duke e vajtuar vdekjen e mbretit të tyre, T’Challa, dhe bëhen gati ta mbrojnë popullin nga një kërcënim i ri, një luftë me mbretërinë ujore të Atlantidës e udhëhequr nga personazhi negativ, Namor, i cili në film portretizohet nga aktori meksikan Tenoch Huerta.
Në ekran të madh rikthehen disa prej personazheve më të dashura të filmit, por jo edhe kryepersonazhi, Black Panther, kjo pasi aktori që e personifikonte atë, Chadwick Boseman, vdiq në gusht të vitit 2020 nga sëmundja e kancerit. Presidenti i studios “Marvel”, Kevin Feige, i kishte premtuar publikut se Boseman nuk do të zëvendësohej në këtë rol. Është ende e paqartë se kush do të jetë Black Pantheri i ri, por personazhet Shuri dhe Nakia duken si kandidatet më të përshtatshme.
Aktorët që i përsërisin rolet e tyre në filmin e ardhshëm janë, Angela Bassett, Letitia Wright, Lupita Nyong’o, Winston Duke dhe Danai Gurira.
“Black Panther: Wakanda Forever” fillon së shfaquri nëpër kinema më 11 nëntor 2022.