Showbiz

Filmat hollywoodianë që do të lansohen gjatë nëntorit

2021-ta tashmë është karakterizuar me lansimin e disa filmave të mëdhenj hollywoodianë, të tillë si “No Time To Die”, “Free Guy”, “Black Widow” dhe “The Suicide Squad”, por viti nuk ka mbaruar ende dhe ka shumëçka për të ofruar për adhuruesit e filmit.

Muaji nëntor sapo ka filluar dhe publiku po i pret me padurim projektet të cilat do të lansohen shumë shpejtë nëpër kinema.

“Eternals” është filmi i ardhshëm i bazuar në Universin Kinematik Marvel, i cili po i entuziazmon fansat e këtij zhanri. Ai nis së shfaquri nëpër kinema nga e enjtja, më 4 nëntor.

Ai e rrëfen historinë e jashtëtokësorëve të pavdekshëm të cilët siç duket janë integruar në kultura të ndryshme të Tokës, dhe në fshehtësi iu ndihmojnë njerëzve të përparojnë pa ndërhyrë drejtpërdrejt. Por zhvillimet e fundit që zënë vend në filmin “Avengers: Endgame”, i bindë këto personazhe me superfuqi të veçanta që të dalin qendër të vëmendjes.

Kasta e aktorëve të filmit përfshinë emra të njohur të industrisë, si Angelina Jolie, Barry Keoghan, Gemma Chan, Kumail Nanjiani, Salma Hayek, Lauren Ridloff, Brian Tyree Henry dhe Don Lee.

“Spencer” titullohet drama psikologjike e cila vjen me regji të Pablo Larraínit dhe skenar të shkruar nga Steven Knight. Filmi e rrëfen historinë e Dianas, Princesha e Walesit, e cila pas thashethemeve për afera dhe probleme tjera brenda familjes mbretërore britanike, vendos t’i jap fund martesës së saj me Princin Charles. Në rolet protagoniste të këtij projekti vijnë aktorët, Kristen Stewart, Jack Farthing, Timothy Spall, Sean Harris dhe Sally Hawkins. “Spencer” lansohet për publikun e gjerë nga 5 nëntori.

Studioja “Saban Films” po bëhet gati për lansimin e filmit të ardhshëm me titull, “Ida Red”, i cili i takon zhanrit aksion, krim dhe triler. Në rolet kryesore të këtij projekti vijnë aktorët, Josh Hartnett, Melissa Leo, Frank Grillo, Sofia Hublitz, William Forsythe dhe Deborah Ann Woll, kurse regjinë dhe skenarin e tij e ka bërë, John Swab. Aktorja e shpërblyer me Oscar, Melissa Leo, e luan rolin kryesor të Ida “Red” Walker, një shefe e krimit e pavarësisht se është e burgosur, duke se i orkestron mjaft mirë punët e saj. Hartnett e portretizon djalin e saj, Wyatt, i cili i ka ndjekur hapat e së ëmës. Derisa Ida përballet me një dënim të gjatë prapa grilave, ajo i kërkon djalit të saj ta ndihmoj me realizimin e një grabitjeje të fundit. Por, problemi i vetëm është se, Wyatt, më nuk është i sigurt se dëshiron ta jetojë një jetë të mbushur me krime. Kështu, ai ngujohet mes obligimeve ndaj familjes dhe përpjekjeve për t’u larguar nga kthetrat e nënës së tij.

“Ida Red” lansohet për publikun e gjerë nga 5 nëntori i këtij viti.

Muaji nëntor sjell edhe projekte të përkryera për familje, siç është filmi “Clifford the Big Red Dog”. I bazuar në librat për fëmijë me të njëjtin emër, filmi e rrëfen historinë e vajzës të quajtur Emily Elizabeth e cila e ka të vështirë të përshtatet në shkollë. Një ditë ajo e merr një qenush të vogël të kuq nga një magjistar i cili i shpëton dhe strehon kafshët. Qenushi i quajtur Clifford bëhet miku i saj i ngushtë por edhe shndërrohet në një qen të kuq gjigant i cili rrëmben vëmendjen e një kompanie gjenetike e cila eksperimenton me kafshët dhe dëshiron t’i rris ato. Emily i bashkon forcat me xhaxhain e saj Casey, i portretizuar në film nga Jack Whitehall, për të luftuar forcat e lakmisë ndërsa Clifford ndikon në jetën e atyre që e rrethojnë, dhe ua mëson Emilyt dhe Caseyt kuptimin e vërtetë të pranimit dhe dashurisë pa kushte. “Clifford the Big Red Dog” lansohet nëpër kinema dhe në platformën digjitale “Paramount+”, nga 10 nëntori.

“Mothering Sunday” është projekti i radhës i cili lansohet për publikun e gjerë nga 12 nëntori. Ngjarja e tij zë vend në vitin 1924 dhe e rrëfen historinë e një shërbëtoreje të re, Jane Fairchild, së cilës punëdhënësit e saj ia dhënë një ditë të lirë për Ditën e Nënave. Kështu, ajo vendos të kalojë më shumë kohë me të dashurin e saj, Paul, me të cilin ka disa vjet që është në lidhje të fshehtë. Ai është në prag të martesës me një grua tjetër, por a do të përfundojnë ata së bashku?

“Mothering Sunday” duket si një rrëfim i bukur dashurie i përcjellë me zemërthyerje dhe emocione të forta, çka hyn në preferencat e publikut për këta muajt e fundit të vitit.

“Tick, Tick… Boom!” është një dramë muzikore e bazuar në mjuzikllin autobiografik me të njëjtin emër të autorit Jonathan Larson, dhe vjen me regji të aktorit Lin-Manuel Miranda i cili me këtë projekt e shënon debutimin regjisorial. Filmi e rrëfen historinë e Jonathan Larsonit, një kompozitor i teatrit i cili kalon nëpër një krizë jetësore teksa i afrohet moshës 30-vjeçare, dhe nuk mendon se ka arritur t’i realizojë ëndrrat e jetës së tij. Në rolet protagoniste të këtij projekti luajnë aktorët Andrew Garfield, Alexandra Shipp, Robin de Jesús, Joshua Henry, Judith Light, Vanessa Hudgens dhe Bradley Whitford. “Tick, Tick… Boom!” lansohet nëpër kinema të limituara nga 12 nëntori, ndërsa fillon së transmetuari në platformën Netflix më datën 19 të këtij muaji.

Mesi i nëntorit e mirëpret nëpër kinema edhe projektin me titull, “Repeat”, një tregim ky i dhimbjes, pikëllimit dhe kërkimit për të vërtetën. Filmi e rrëfen historinë e një psikologu i cili ia ka kushtuar jetën leksioneve në universitet. Ndërsa ndërhyn me një nga eksperimentet e shumta që ka, ai zbulon një mënyrë për të komunikuar me botën e të vdekurve.

“Repeat” duket të jetë një përvojë emocionuese dhe intensive, që me siguri do të mbajë vëmendjen e audiencës.

Vazhdimi i ri i filmave ikonik “Ghostbusters” pothuajse ka arritur dhe fansat, si të vjetrit ashtu edhe ata të rinjtë, janë tejet të lumtur për ta parë se çfarë do të ofrojë ky projekt i radhës.

Me titull “Ghostbusters: Afterlife”, ky do të jetë vazhdimi i tretë zyrtarë i filmave të njohur të viteve ’80, dhe në rolet kryesore i sjell aktorët Carrie Coon, Finn Wolfhard, Mckenna Grace dhe Paul Rudd, derisa Bill Murray, Dan Aykroyd, Ernie Hudson, Sigourney Weaver dhe Annie Potts i përsërisin rolet e tyre nga filmat origjinal.

Filmi e rrëfen historinë e dy fëmijëve dhe nënës së tyre beqare të cilët pasi dëbohen nga shtëpia e tyre, detyrohen të zhvendosen në një fermë në Summerville të Oklahomas, të cilën e kanë trashëguar nga gjyshi i ndjerë. Por kur qyteza fillon t’i përjetojë një sërë tërmetesh të pashpjegueshme, fëmijët e zbulojnë lidhjen e familjes së tyre me shkencëtarët e njohur si “Ghostbusters”, të cilët e krijojnë një pajisje për kapjen e fantazmave dhe të cilët ka kohë që janë shndërruar në mit dhe janë harruar plotësisht nga shoqëria.

“Ghostbusters: Afterlife” lansohet nëpër kinematë botërore nga 19 nëntori.

Will Smith e udhëheqë ekipin e filmit të ardhshëm “King Richard”, i cili vjen nëpër kinema nga 19 nëntori i këtij viti. Në këtë projekt, aktori i njohur hollywoodian e luan rolin protagonist, Richard Williams, në filmin i cili flet për vendosmërinë dhe dashurinë mes familjes. Williams është një baba i nënvlerësuar dhe i përqeshur, i cili i rritë dy vajza të cilat janë sportiste të talentuara dhe të cilat bëhen të famshme anembanë botës, për aftësitë e tyre në tenis.

Richard, i armatosur me një vizion të bujshëm për të ardhmen e vajzave të tij dhe potencialin për të përdorur metoda jotradicionale, krijon një plan që do t’i dërgojë motrat, Venus dhe Serena Williams, nga rrugët e Comptonit në Kaliforni drejt suksesit global dhe shndërrimit në tyre në idhuj dhe ikona, për dashamirët e tenisit.

Traileri i këtij filmi të cilin nuk duhet humbur, shfaq emocione të sinqerta së bashku me një kastë aktorësh yje, të tillë si Saniyaa Sidney, Demi Singleton, Tony Goldwyn, Jon Bernthal dhe të tjerë. Mbreti Richard nuk duhet humbur.

“Encanto” është filmi i ri i animuar i studios “Disney” i cili lansohet nëpër kinematë botërore nga 24 nëntori i këtij viti, dhe synon të tregojë që edhe nëse njerëzit kanë diçka që ti nuk e ke, sërish ti mund të jesh një person i veçantë.

Me një ngjarje e cila zë vend në Kolumbi, “Encanto” e rrëfen historinë e familjes Madrigal dhe jetën e tyre në një shtëpi magjike. Të gjithë fëmijët e kësaj familjeje e kanë një superfuqi të jashtëzakonshme, përveç së voglës Mirabel e cila ka lindur pa ndonjë aftësi magjike. Sidoqoftë, edhe pse nuk posedon superfuqi, Mirabel përfshihet në një aventurë interesante për ta shpëtuar shtëpinë e saj, në momentin që familja Madrigal vihet në rrezik.

Filmi vjen me regji të dyshes, Byron Howard dhe Jared Bush, të cilët njihen për realizimin e projektit hit të arkave filmike, “Zootopia”. Skenari është bashkëshkruar nga Charise Castro Smith, derisa në të përfshihen edhe këngë origjinale të yllit hollywoodian, Lin-Manuel Miranda.

“Encanto” duket një tregim i bukur dhe domethënës i cili padyshim se do t’i kënaqë gjithë adhuruesit e filmave “Disney”.

“Resident Evil: Welcome to Raccoon City” është një film horror për mbijetesën i cili vjen me skenar dhe regji të Johannes Robertsit, dhe konsiderohet vazhdim i filmave ikonik “Resident Evil”. Raccoon City ishte dikur shtëpia e lulëzuar e gjigantit farmaceutik “Umbrella Corp”. Eksodi i kompanisë e la qytetin një djerrinë, një qytet në vdekje, me një të keqe të madhe që shpërtheu nën sipërfaqe. Kur ajo e keqe lëshohet, një grup të mbijetuarish duhet të punojnë së bashku për të zbuluar të vërtetën pas kompanisë “Umbrella” dhe t’i bëjnë ballë rreziqeve marramendëse që i presin në këtë mision. Pjesë e kastës janë aktorë jo shumë të njohur të hollywoodit, si Kaya Scodelario, Hannah John-Kamen, Robbie Amell, Tom Hopper, Avan Jogia, Donal Logue, Neal McDonough dhe Lily Gao. “Resident Evil: Welcome to Raccoon City” fillon së shfaquri për publikun nga 24 nëntori.

Lady Gaga dhe Adam Driver luajnë së bashku në filmin e ri emocionues, “House of Gucci”, i cili e rrëfen historinë e martesës jostabile të Patrizia dhe Maurizio Guccit, që qon tek një vrasje e profilit të lartë.

Pjesë e kastës së filmit të bazuar në ngjarje të vërtetë janë edhe yjet: Jared Leto, Salma Hayek, Al Pacino dhe Jeremy Irons.

Ky film jo vetëm që e ka një ekip aktorësh yje por edhe e rrëfen një histori të thellë dhe interesante e cila e ka zgjuar interesim e shumë fansave të filmave dramatik. “House of Gucci” vjen nëpër kinema nga 26 nëntori i këtij viti.