Një prej aktiviteteve më të preferuara nga të gjithë për të ndier shpirtin e festave të fundvitit është shikimi i filmave. Por cilët janë disa nga filmat më të pëlqyer për festat e fundvitit që mund t’i shikoni me familje?
Klaus (2019)
Një djalë i quajtur Xhasper dërgohet nga Akademia Postare të punojë në një ishull të ftohtë pranë Arktikut. Aty njerëzit flasin shumë pak mes vete dhe madje nuk dërgojnë kurrë letra. Xhasper bëhet gati të heqë dorë nga puna kur takohet me një mësues të quajtur Alva dhe një zdrukthtar të quajtur Klaus, i cili jeton në një kabinë të vogël të mbushur me lodra. Ata së bashku mundohen të kthejnë gëzimin në ishull duke kaluar nëpër sfida të ndryshme.
Jingle Jangle: Një rrëfim Krishtlindjesh (2020)
Një histori e shoqëruar nga muzika e cila ndjek punuesin e lodrave me emrin Zheronik, shpikjet e të cilit i mahnitin të gjithë. Por kur bashkëpunëtorja e tij Emi, ia vjedh krijimin më të vyer, është në dorën e mbesës së tij Madalenës të rikthejë magjinë e lodrave. Ky rrëfim Krishtlindjesh na mëson për fuqinë e familjes dhe mundësitë e pafundme që kemi.
Grinch (2018)
Ky film i Dr.Seuss tregon historinë e një krijese idhnake me emrin Grinch, i cili ka për mision të rrëmbejë Krishtlindjet. Ai i urren me gjithë shpirt Krishtlindjet dhe të qeshurat e njerëzve gjatë kësaj kohe prandaj dëshiron që ta zhdukë këtë festë një herë e përgjithmonë. E gjithë kjo, vetëm që atij në fund t’ia ndryshojë mendjen një vajzë e re me shpirt Krishtlindjesh.
Arrëthyesi dhe katër mbretëritë magjike (2018)
Ky film i Disney flet për një vajzë të quajtur Kara. Ajo përfundon në mënyrë misterioze në një botë paralele në kërkim të një çelësi magjik. Aty ajo takon një ushtar me emrin Filip dhe një grup brejtësish, me të cilët ajo udhëton në tre mbretëritë magjike: Mbretërinë e Dëborës, Luleve dhe Ëmbëlsirave. Kara dhe Filip duhet ta gjejnë mbretërinë e katërt, të marrin çelësin dhe të kthejnë harmoninë në botë.
Kronikat e Krishtlindjeve (2018)
Ky film tregon historinë e dy fëmijëve, motër e vëlla, të cilët kanë bërë plan të kapin Babagjyshin në natën e Krishtlindjes. Kjo kthehet në një aventurë të papritur për të cilën ata as që e kishin ëndërruar më parë. Pasi ndoqën arritjen e Babagjyshit ata vjedhurazi hipin në slitën e tij, duke e përplasur atë. Kështu, fëmijët së bashku me Babagjyshin dhe elfët duhet të punojnë së bashku për të shpëtuar Krishtlindjet para se të bëhet shumë vonë.