Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Festivali “Coachella” rikthehet në prill të vitit të ardhshëm

Foto: AP/Associated Press

Festivali i njohur i muzikës, “Coachella”, zyrtarisht do të rikthehet në prill të vitit 2022.

Edicioni i radhës i ngjarjes shumë të ndjekur nga publiku, “Coachella Valley Music and Arts Festival”, do të jetë i pari nga viti 2019.

Të martën më 1 qershor, organizatorët e festivalit e bënë të ditur lajmin se po rikthehen dhe që edicioni i ri i tij, do të mbahet në fundjavat e 15-17 prillit dhe 22-24 prillit të vitit 2022, në Kaliforni.

Në këtë mënyrë u konfirmuan raportimet e mëhershme se festivali i famshëm nuk do të mbahej gjatë këtij viti. Fansat tani kanë mundësi të regjistrohen në uebfaqen zyrtare të “Coachella”, për të pasur qasje në shitjet e hershme të biletave për koncertet e vitit 2022.

“Coachella”, i cili u detyrua të shtyhej 2 herë si pasojë e pandemisë, planifikohej të mbahej në prill të këtij viti, por shpresat që një gjë e tillë të ndodhë u shkatërruan në muajin janar, kur zyrtari i shëndetit publik i ngarkuar me qarkun Riverside, ku tradicionalisht mbahet festivali, e nënshkroi një urdhër të shëndetit publik që anulonte këtë ngjarje dhe festivalin simotër të muzikës country, “Stagecoach”.

Në edicionin e vitit 2020 të festivalit “Coachella” do të performonin yjet e njohur të muzikës, si Frank Ocean, bendi “Rage Against the Machine”, Travis Scott, Lana Del Rey, Lil Uzi Vert, Thom Yorke, dyshja e muzikës “Run the Jewels”, FKA twigs, DaBaby, 21 Savage, Lil Nas X dhe të tjerë.

Edhe Frank Ocean do të rikthehet në festivalin “Coachella” në vitin 2023 Showbiz Frank Ocean do të rikthehet në festivalin “Coachella” në vitin 2023

Disa festival tjera të Amerikës që po rikthehen së shpejti janë: festivali i organizuar nga reperi Jay-Z, “Made In America Festival”, i cili rikthehet në muajin shtator, dhe grupi “Slipknot” po e risjell festivalin “Knotfest Iowa” në të njëjtin muaj.

Ndërkohë, Billie Eilish, Stevie Nicks dhe Miley Cyrus e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në festivalin, “Austin City Limits”, që mbahet në tetor të vitit 2021.