Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Evan Rachel Wood me akuza të rënda ndaj Marilyn Mansonit në dokumentarin e ri

Ylli i kinematografisë, Evan Rachel Wood, ka folur hapur për lidhjen e saj të kaluar me muzikantin, Marilyn Manson, për të cilin pohon se e ka abuzuar seksualisht. Po ashtu ka treguar për angazhimin e saj për t’i ndihmuar personat që i kanë mbijetuar dhunës familjare.

Në dokumentarin e ri dy pjesësh të realizuar nga kanali HBO, “Phoenix Rising”, i cili vjen me regji të Amy Bergut, aktorja e famshme hollywoodiane e përshkruan në detaje abuzimin të cilin e ka përjetuar nga Mansoni, gjatë kohës sa ishte në lidhje me të.

Aktorja e filmit “Westworld” thotë se ka qenë në lidhje me muzikantin e famshëm për më shumë se katër vjet. Ata ishin takuar kur Wood ishte vetëm 18-vjeçare ndërsa për një periudhë të shkurtër në vitin 2010, ata kishin qenë të fejuar dhe po planifikonin të martoheshin.

Në një intervistë të realizuar për emisionin “Nightline” i cili u transmetua të hënën, Wood e shpjegoi arsyen pse ka vendosur që në shkurt të vitit 2021 ta emëronte publikisht Mansonin si abuzuesin e saj, kjo pasi aktorja kishte treguar edhe në të kaluarën që kishte përjetuar dhunë në një lidhje romantike, por nuk kishte pranuar ta zbulojë identitetin e abuzuesit të saj.

“M’u bë shumë e qartë se do të kishte hakmarrje ndaj meje, dhe ta ekspozosh një person në pushtet dhe një artist të profilit të lartë, siç është ai, është natyrisht një rrezik i madh të cilin duhet ta ndërmarrësh e vetme”.

Edhe Gjykata hedh poshtë padinë e Marilyn Mansonit kundër Evan Rachel Wood Showbiz Gjykata hedh poshtë padinë e Marilyn Mansonit kundër Evan Rachel Wood

Në vitin 2021, kur aktorja foli për dhunën që e kishte përjetuar nga ish i dashuri, deklaroi se Mansoni ia kishte shpërlarë trurin kur ajo ishte vetëm adoleshente dhe më pas e abuzoi tmerrësisht për vite me radhë.

“Ai më mashtroi dhe më manipuloi për t’iu nënshtruar. Por tani nuk pranoj më të jetoj me frikën e hakmarrjes, shpifjes ose shantazhit. Unë jam këtu për të ekspozuar këtë njeri të rrezikshëm dhe për t’i ekspozuar industritë e shumta që e kanë mbështetur atë me vite, përpara se të shkatërrojë më shumë jetë. Unë qëndroj me viktimat e shumta që nuk duan të heshtin më”, kishte shkruan aktorja në një postin në Intagramin e saj.

Atëkohë, Manson emri i vërtetë i së cilit është Brian Warner, e postoi një mesazh në Instagram ku i quajtur deklaratat e Woodsit “shtrembërime të tmerrshme të realitetit” dhe duke deklaruar se marrëdhëniet e tij intime kanë qenë gjithmonë tërësisht konsensuale me partneret që kishin të njëjtin mendim.

Duke iu përgjigjur deklaratave të tij, Wood në intervistën e kësaj jave tha: “Nga sa mund të them, ai po aludon në faktin se ndoshta bëhet fjalë për thjesht seks të çuditshëm mes një çifti. Brian dhe unë nuk kishim një marrëdhënie të tillë. Ne nuk bënim seks të çuditshëm. Kjo nuk është një preferencë seksuale e askujt. Nuk po flasim për një marrëdhënie të tillë, por diçka krejt tjetër dhe të panatyrshme”.

Në dokumentarin “Phoenix Rising”, Wood tregon më shumë hollësi për abuzimin e aluduar si dhe tregon për një incident të caktuar kur thotë se kishte provuar të largohej nga Mansoni, por ai e kishte lënduar veten duke e shantazhuar që të qëndrojë me të.

“Ai më thirri 158 herë dhe preu veten sa herë që nuk e i lajmërohesha në telefon dhe më thoshte se do ta vriste veten. Në këtë moment, njerëzit në jetën time më sugjeronin të bëja kërkesë për urdhër ndalesë ndaj tij. Por unë ju thosha që ‘absolutisht jo’ sepse një veprim i tillë më dukej absolutisht i çmendur. Kisha frikë se kështu vetëm do t’i përkeqësoja gjërat dhe ai do të tërbohej edhe më shumë. U ktheva në shtëpinë e tij për t’u përpjekur ta qetësoja situatën pasi ai ishte prerë dhe më kishte kërcënuar me vetëvrasje. Dhe u ndëshkova rëndë për këtë”, deklaron aktorja në dokumentar.

Tutje, aktorja tregoi pse kishte vendosur që pas shumë vjetësh të aludimeve se ka qenë në lidhje abuzuese, pikërisht në vitin 2021 ta bënte publik emrin e abuzuesit të saj.

Edhe Manson i cilëson “të rreme” akuzat për ngacmim seksual Showbiz Manson i cilëson “të rreme” akuzat për ngacmim seksual

“Kaq shumë gra të mbijetuara jetojnë me frikën e gjykimit, hakmarrjes dhe kryesisht jetojnë me turp, dhe e di këtë sepse e kam përjetuar edhe vet. Sa herë që një e mbijetuar flet publikisht ose sa herë që ka akuza, e kam të vështirë të mos e bëj personale. Dhe në atë kohë e ndjeva se ishte momenti i duhur për të thënë diçka. Ishte koha për të mos heshtur më”, tha Wood për emisionin “Nightline”.

Pjesa e parë e dokumentarit e titulluar “Phoenix Rising: Don’t Fall” e shënon premierën në HBO, të martën më 15 mars. Ndërsa pjesa e dytë, “Phoenix Rising: Stand Up”, transmetohet më 16 mars.