Showbiz

Detektivët kontrollojnë shtëpinë e muzikantit Marilyn Manson

Foto: AP/Associated Press

Shtëpia e muzikantit, Marilyn Manson, në Hollywood është kontrolluar nga autoritetet pas akuzave të ngritura kundër këngëtarit nga disa gra, të cilat pohojnë se janë abuzuar fizikisht dhe seksualisht nga ai.

Uebfaqja për të famshëm “TMZ” ka raportuar se detektivë nga Njësia Speciale e Viktimave të Dhunës nga departamenti policor i Los Angelesit, e kanë kontrolluar shtëpinë e Mansonit, pasi u shërbye një urdhër kërkimi. Besohet se këngëtari i famshëm, emri i vërtetë i së cilit është Brian Warner, në ato momente nuk gjendej në shtëpi.

“TMZ” pohon se disa pajisje teknologjike, përfshirë këtu hard disqet kompjuterike, janë konfiskuar.

Kurse, avokatët dhe zëdhënësit e Mansonit nuk kanë pranuar të komentojnë rreth kësaj çështje.

Intervenimi i fundit policor në shtëpinë e këngëtarit vjen pas një sërë akuzash të ngritura kundër tij, për abuzime fizike dhe seksuale.

Në fillim të këtij viti, aktorja e “Game Of Thrones”, Esme Bianco, e paditi këngëtarin duke e akuzuar për sulm seksual. Ajo pretendon se Mansoni përdori në mënyrë të vazhdueshme drogë, forcë dhe kërcënime për ta detyruar për akte seksuale. Manson, emri i vërtetë i të cilit është Brian Warner, tani ka bërë kërkesë për ta hedhur poshtë rastin, duke thënë se e mohon secilën akuzë.

Bianco është një nga katër gratë që e kanë paditur këngëtarin, së bashku me ish-ndihmësen personale të Mansonit, Ashley Walters, modelen Ashley Morgan Smithline dhe një grua që ka zgjedhur të mbetet anonime.

Akuzat e tyre janë të një natyre të ngjashme, përfshirë akuzat për abuzim seksual dhe fizik. Në total, më shumë se një duzinë grash kanë bërë akuza publike kundër muzikantit, përfshirë ish-të fejuarën Evan Rachel Wood.

Avokatët e Mansonit, sipas dokumenteve të gjykatës, thonë se nuk ka “asnjë provë” për t’i mbështetur pretendimet e tyre. Ata më tej i akuzojnë gratë se po përpiqen “plot dëshpërim” që ta lidhin imazhin e personit të famshëm, Marilyn Manson, me fjalë të sajuara për abuzim.

Bianco së pari kishte folur kundër Mansonit në shkurt, pak pasi Evan Rachel Wood bëri një deklaratë duke pretenduar se Manson kishte abuzuar me të “në mënyrë të tmerrshme” dhe se “ia kishte shpërlarë truri dhe ishte manipuluar për t’iu nënshtruar”. Aktorja britanike e paditi yllin e rokut në prill, duke pretenduar se e kishte lidhur, rrahur dhe i kishte dhënë shok elektrik. Ajo gjithashtu ka thënë se Mansoni e kishte detyruar të bënte marrëdhënie seksuale, që shpesh ishte e dhunshme dhe degraduese, ndonjëherë kur ishte pa ndjenja ose kur nuk ishte në gjendje ta jepte pëlqimin e saj.

Pas këtyre akuzave, këngëtari u pushua në studioja incizuese me të cilën kishte bashkëpunuar disa vjet. Megjithëkëtë, Manson i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i quajtur “shtrembërime të tmerrshme të realitetit”.

Këngëtari dhe kantautori kontrovers, shquhet për veshjet e tij të zeza të frymëzuara nga stili gotik, dhe grimin e rëndë e të frikshëm. Disa prej hiteve të tij më të njohura janë, “The Dope Show” dhe “Personal Jesus”.