Aktorja e njohur nga filmat “Harry Potter”, Emma Watson, është ndaluar që të drejtojë veturën për një periudhë prej gjashtë muajsh, pasi u kap duke tejkaluar shpejtësinë e lejuar.
Sipas gjykatës, Watson, e cila luajti rolin e Hermione Granger në sagën e famshme, po drejtonte automjetin Audi me shpejtësi rreth 61 kilometra në orë në një zonë me kufizim prej rreth 48 kilometra në orë në Oxford, më 31 korrik të vitit të kaluar, ka raportuar BBC.
35-vjeçarja, që aktualisht është studente, kishte tashmë nëntë pikë penalizuese në patentën e saj para incidentit, gjë që e çoi në diskualifikim automatik. Ajo u gjobit gjithashtu me gjithsej 1,044 funte nga Gjykata Magjistrale e High Wycombe të mërkurën. Watson nuk ishte e pranishme në seancën pesëminutëshe, ndërsa përfaqësuesit e saj janë kontaktuar për koment.
“Ajo është studente dhe është në gjendje të paguajë gjobën”, i ka thënë gjykatës avokati i saj Mark Haslam
Watson ka nisur masterin në Universitetin e Oksfordit që nga viti 2023. Ajo u bë e famshme në vitin 2001 me rolin e saj të parë në “Harry Potter and the Philosopher’s Stone”, përkrah aktorëve Daniel Radcliffe dhe Rupert Grint. Pas tetë filmave të sagës “Harry Potter”, ajo ka luajtur në filma të tjerë të njohur si “Beauty and the Beast”, “The Bling Ring” dhe “The Perks of Being a Wallflower”.
Roli i saj i fundit në film ishte në “Little Women” të vitit 2019, me regji nga Greta Gerwig.
Ndërkohë, një serial i ri televiziv bazuar në librat e autores JK Rowling për Harry Potter është në zhvillim nga HBO dhe pritet të zgjasë një dekadë. Në këtë adaptim të ri, rolet kryesore janë ndarë për Dominic McLaughlin (Harry), Arabella Stanton (Hermione) dhe Alastair Stout (Ron). Aktori John Lithgow do të luajë Dumbledorein, ndërsa Nick Frost është përzgjedhur për rolin e Hagridit, Janet McTeer si Minerva McGonagall dhe Paapa Essiedu si Severus Snape.
Po atë ditë dhe në të njëjtën gjykatë, një tjetër aktore e “Harry Potterit”, Zoe Wanamaker, e njohur për rolin e Madam Hooch, u dënua gjithashtu për shkelje të kufizimit të shpejtësisë. 76-vjeçarja u kap duke vozitur me shpejtësi më të madhe se ajo e rekomanduar në Newbury, Berkshire, më 7 gusht 2024.
Ashtu si Watson, edhe Wanamaker kishte nëntë pikë në patentën e saj dhe gjykata i shtoi tre të tjera, duke e bërë të pavlefshme për gjashtë muaj.
“Ajo nuk kërkon trajtim të veçantë dhe e pranon gjobën”, ka deklaruar avokati i saj, Duncan Jones.
Gjatë shqiptimit të dënimit, gjykatësi Arvind Sharma sqaroi se në të dyja rastet u shtuan tre pikë të reja penalizuese, çka shkaktoi automatikisht pezullimin e patentës për një periudhë gjashtëmujore.