Këngëtari Elton John, ka zgjedhur humorin për t’iu kundërpërgjigjur ndjekësve në rrjetet sociale që e kritikuan për një detaj: një furrë kuzhine që ata e quajtën “të pistë”.
Legjenda e muzikës ka postuar në Instagram një video të re për të treguar se e merr shumë seriozisht pastërtinë, pasi përdoruesit vunë re njolla në derën e furrës së tij, në një klip të mëparshëm të xhiruar në shtëpi, shoqëruar me hitin e tij festiv “Step Into Christmas”, ka raportuat People.
Në videon e re, të titulluar “Step Into Christmas, njoftim publik”, John u përgjigjet kritikave.
“Përshëndetje njerëz, këtu Elton John. Disa javë më parë bëra disa video në këtë kuzhinë, duke folur për sa shumë po më ‘çmendte’ kënga ‘Step Into Christmas’, dhe reagimi ishte i jashtëzakonshëm, gjë që më habiti”, ka thënë ai.
Ai shtoi se një pjesë e madhe e komenteve u fokusuan te furra e tij.
“Shumë nga reagimet ishin disi negative për sa e ‘pistë’ dukej furra ime. Dera e furrës, xhami i furrës. Dhe mund t’ju siguroj që nuk kam asgjë të pistë në këtë shtëpi. Asnjëherë nuk kam pasur. Unë nuk jam njeri i pistë”, ka thënë ylli.
Më pas, këngëtari i “Tiny Dancer” ka thënë me shaka se do ta dëshmojë këtë.
“Për ta dëshmuar që nuk kam asgjë të pistë, do të bëj diçka për t’jua treguar”, ka thënë ai.
Në përgjigje të një komenti që thoshte: “Bukur ta shohësh që edhe furra e Eltonit ka nevojë për pastrim para Krishtlindjes. Edhe xhami i furrës sime ka nevojë për një specialist”, këngëtari 78-vjeçar postoi një video ku shihet duke pastruar furrën nga brenda, me doreza pastrimi.
Ai e shoqëroi videon me mbishkrimin: “Mos mendoni se komentet tuaja kalojnë pa u vënë re”.
John ka folur së fundmi edhe për gjendjen e tij shëndetësore. Ai humbi shikimin në syrin e djathtë pasi u infektua në Francë vitin e kaluar dhe ka pranuar se kjo periudhë ka qenë shumë e vështirë.
“Ka qenë shkatërruese. Kam humbur syrin e djathtë dhe edhe i majti nuk është shumë mirë, ndaj 15 muajt e fundit kanë qenë sfidues për mua, sepse nuk kam mundur të shoh, të shikoj televizor apo të lexoj”, ka thënë ai në intervistë për Variety.
Megjithatë, ai nuk e humb shpresën.
“Kam pasur një jetë të jashtëzakonshme dhe ka shpresë. Thjesht duhet të jem i durueshëm që një ditë shkenca të më ndihmojë edhe me këtë. Kur të më ndihmojnë, do të jem mirë”, ka thënë ai.