Ylli britanik i muzikës, Ellie Goulding dhe bashkëshorti i saj Caspar Jopling, janë në pritje të fëmijës së parë.
Këngëtarja 34-vjeçare e cila është në javën e 30-të të shtatzënisë, tha se çifti e kishte mësuar lajmin e shtatzënisë në përvjetorin e parë të martesës së tyre, në gusht të vitit të kaluar, duke shtuar se ishte një befasi për të dy.
Duke folur për revistën prestigjioze “British Vogue”, ylli i hitit “Lights” deklaroi se pak para se ta kuptonte se është në pritje të fëmijës së parë, ajo e kishte mbajtur një koncert live në muzeun “V&A”.
“Ne e mbajtëm një koncert. Unë isha shtatzënë por nuk e kisha idenë për këtë. Kjo ndodhi në kohën kur unë dhe Caspar shkuam në një udhëtim me rastin e përvjetorit të parë të martesës, dhe pikërisht atje e kuptuam lajmin e gëzuar. Ishte një befasi për të dy, sepse ne po e festonim vetëm vitin e parë të martesës dhe nuk kishim planifikuar të bëheshim me fëmijë kaq shpejtë. Prandaj edhe ideja se mund të isha shtatzënë, nuk dukej si realitet. Por jemi shumë të lumtur për këtë, dhe të qenit shtatzënë më ka bërë të ndihem si njeri më i mirë. Unë dua të bëhem nënë sa më e mirë dhe dua që fëmija im të rritet në një botë më të bukur. Po e shijoj çdo moment të shtatzënisë bashkë me të gjitha ndryshimet që po i pëson trupi im. Edhe bashkëshorti im është shumë i lumtur dhe mezi po presim ta takojmë fëmijën tonë”.
Tutje në intervistën e gjatë të realizuar nga shtëpia e këngëtares në Gloucestershire, Goulding tha se bashkë me burrin e saj kishin vendosur që lajmin e shtatzënisë, ta mbajnë të fshehtë për një kohë.
Ellie Goulding dhe Caspar Jopling u martuan me një ceremoni glamuroze, më 31 gusht të vitit 2019. Këngëtarja kishte veshur një fustan tradicional të martesës të shoqëruar me vello, dhe të dizajnuar nga Natacha Ramsay-Levi.
Këngëtarja njihet për hite të shumta muzikore, si “Burn”, “I Need Your Love”, “Beating Heart”, “Powerful”, “Love Me Like You Do” dhe të tjerë.
Vjetëve të fundit ajo nuk ka qenë shumë aktive në muzikë, duke u fokusuar në angazhimet e saj si aktiviste. Gjatë vitit 2020, Goulding i lansoi dy këngë, “Power” dhe “Slow Granade”, ndërsa para një muaji ajo e solli videoprojektin, “New Love”, të realizuar në bashkëpunim me dyshen e famshme të muzikës, Mark Ronson dhe Diplo.