Të gjithë e njohin Dora eksploruesen, apo Dora The Explorer, filmin e popullarizuar të animuar edukativ ku vajza Dora udhëton nëpër botë dhe i mëson fëmijët për të gjitha gjërat interesante rreth vendeve që i viziton. Paramount Pictures, Paramount Players dhe Nickelodeon Movies kanë vendosur t’i gëzojnë të gjithë adhuruesit e saj dhe t’i sjellin në ekranet e mëdha aventurat e eksplorueses më të njohur në filmin artistik Dora and the Lost City of Gold.

Pasi e kalon pjesën më të madhe të jetës së saj duke e eksploruar xhunglën me prindërit e saj, asgjë nuk ka mundur ta ketë përgatitur Dorën (Isabela Moner) për aventurën e saj më të rrezikshme ndonjëherë - shkollën e mesme. Eksploruesja Dora shpejt takohet me Çizmen (shokun e saj më të mirë, majmun), Diegon (Jeff Wahlberg), banorin misterioz të xhunglës (Eugenio Derbez), dhe një grup të adoleshentëve në aventurën aksion për shpëtimin e prindërve të saj (Eva Longoria, Michael Peña) dhe zgjidhjen e sekretit të Qytetit të humbur, shkruan KOHA Ditore.
Regjinë e filmit e bën James Bobin, regjisori i filmit The Muppets. Skenaristë janë Nicholas Stoller dhe Matthew Robinson, ndërsa producente Kristin Burr. Në rolet kryesore janë Isabela Moner, Eugenio Derbez, Michael Peña, Eva Longoria, Adriana Barraza, Temuera Morrison, Jeff Wahlberg, Nicholas Coombe, Madeleine Madden, dhe Danny Trejo.