Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Ed Sheeran jep donacion 10 mijë funte

Ed Sheeran dhuroi 10,000 funte për një bujtinë pas një kërkese “të rastësishme” nga një grup që e kishte dashur si adoleshent. John Parker, pjesë e dyshes popullore Nizlopi, tha se iu afrua yllit për të kërkuar ndihmë në lidhje me maratonën e vrapimit për mbledhjen e fondeve për bamirësi. Grupi kishte pasur sukses me këngën “JCB Song” më 2005 dhe Sheeran ka thënë se ata i kanë meritat “në thelb për çdo aspekt të mënyrës se si këndon”.

Parker tha se ai ishte “prekur shumë” nga donacioni. “Kjo dëshmon se pavarësisht se sa i famshëm bëhesh, prapë mund të jesh person i mrekullueshëm”, ka thënë ai.

Në këmbim, Parker premtoi: “Nëse ai dëshiron të marrë pjesë në maratonë mund ta bëjë”. Parker ka thënë Sheeran filloi të ndihmonte me kitarë për grupin me bazë në Leamington Spa më 2005, kur ishte 14 vjeç dhe “thjesht donte të kalonte kohë me ne”.

Ai, gjithashtu, i ka hapur disa koncerte për ta dhe Parker ka thënë: “Mund ta shihni se ishte shumë i talentuar dhe e dinte saktësisht se çfarë po bënte”. Sheeran “thjesht e donte muzikën”, ka thënë ai, dhe “ishte interesuar shumë për zanatin dhe mënyrën e interpretimit”.

Këngëtari i hitit “Galway Girl” ka folur për kohën e kaluar me Nizlopin gjatë një interviste më 2017, ku kishte thënë: “Në thelb, gjithçka që ka të bëjë me mënyrën e këndimit, mënyra se si e kontrolloj zërin, mënyra se si kontrolloj publikun, mënyra se si luaj në kitarë, mënyra se si kam përdorur beat boxin ... e tëra vjen nga ky grup”. " Parker tha se dyshja e dinte se Sheeran ishte i veçantë, duke shtuar: “Niveli i tij i maturisë ishte thjesht i pabesueshëm”.

Ai tha se nuk kishte pritur shumë, sepse “të gjithë duan diçka nga njerëzit e famshëm”. Donacioni u bë me emrin Ted, por Parker ka thënë se e dinte menjëherë që ishte shoku i tij i vjetër dhe që atëherë ata kanë biseduar dhe kanë shkëmbyer shaka rreth vrapimit të Parkerit. Ai ka thënë se Sheeran “nuk mund ta besonte se sa shpejt vrapoja”, por sugjeroi që ylli mund të merrte pjesë në maratonë vetë, si një sfidë e re për të.