Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Dy aktoreve të Hollywoodit u ndërpriten kontratat për shkak të komenteve antisemitiste

Susan Sarandon, Melissa Barrera “ndëshkohen” për shkak të komenteve pro-palestineze

Aktorja fituese e çmimit Oskar, Susan Sarandon dhe ylli i filmit “Scream”, Melissa Barrera, të dyja u përjashtuan nga kompanitë e Hollywoodit pasi bënë komente antisemitiste.

“Spyglass Media Group”, kompania prodhuese e filmit të ri “Scream VII”, përjashtoi Barreran nga franshiza horror. Aktorja me origjinë meksikane, kishte postuar deklarata në Instagram duke e quajtur luftën Israel-Hamas, “gjenocid dhe spastrim etnik”.

“Gaza, aktualisht po trajtohet si një kamp përqendrimi”, ka shkruar ajo.

Drejtuesit e “Spyglass” kanë thënë në një deklaratë se qëndrimi i tyre është i qartë.

“Ne kemi zero tolerancë për antisemitizmin ose nxitjen e urrejtjes në çfarëdo forme, duke përfshirë referencat e rreme ndaj gjenocidit, spastrimit etnik, shtrembërimit të Holokaustit apo çdo gjëje që në mënyrë flagrante kalon kufirin në gjuhën e urrejtjes”, kanë deklaruar ata.

Edhe Susan Sarandon flet për “ndëshkimin” profesional pas qëndrimeve të saj pro-palestineze Showbiz Susan Sarandon flet për “ndëshkimin” profesional pas qëndrimeve të saj pro-palestineze

Të mërkurën, Barrera postoi një deklaratë në Instagram për shkarkimin e saj.

“Para se gjithash dënoj antisemitizmin dhe islamofobinë. Dënoj urrejtjen dhe paragjykimin e çdo lloji kundër çdo grupi njerëzish. Unë besoj se një grup njerëzish nuk janë udhëheqja e tyre dhe se asnjë organ qeverisës nuk duhet të jetë mbi kritikat. Lutem ditë e natë që të mos ketë vdekje e dhunë dhe për bashkëjetesë paqësore. Unë do të vazhdoj të flas hapur për ata që kanë më shumë nevojë dhe do të vazhdoj të mbroj paqen dhe sigurinë, për të drejtat e njeriut dhe lirinë”, ka shkruar Barrera.

Një zëdhënës i “Agjencisë së Bashkuar të Talenteve”(ABT) ka thënë se aktorja Susan Sarandon, nuk përfaqësohet më nga agjencia. Dalja e Sarandonit nga ABT ndodhi pasi ajo ka komentuar për Izraelin.

“Ka shumë njerëz që kanë frikë të jenë hebrenj në këtë kohë, dhe po e përjetojnë atë se çfarë ndjesie është të jesh mysliman në këtë vend, që nënshtrohen kaq shpesh ndaj dhunës”, ka thënë Sarandon, sipas New York Post.

“The Post” ka raportuar se Sarandon u bashkua me turmën duke brohoritur: “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”, një slogan që disa e shohin si antisemit, sepse sugjeron çrrënjosjen e Izraelit.

Edhe Susan Sarandon kërkon falje për deklaratën antisemitike Showbiz Susan Sarandon kërkon falje për deklaratën antisemitike

Lufta Izrael-Hamas ka shkaktuar përçarje në të gjithë Hollywoodin.

Maha Dakhil, agjente e shquar e “Agjencisë së Arteve Krijuese”, muajin e kaluar dha dorëheqjen nga bordi pasi ndau një postim në rrjetet sociale që akuzonte Izraelin për gjenocid. Dakhil pastaj kërkoi falje.

Izraeli dhe Hamasi ranë dakord të mërkurën për një armëpushim katër-ditor.